Aktoret e Hollywood-it pronare të një klubi futbolli për vajza

Natalie Portman, Jennifer Garner, Eva Longoria, Jessica Chastain dhe Uzo Aduba.

Kur përmendim këto emra aktoresh, përfytyrojmë një projekt madhor filmi që mund të vijë në vazhdim. Por është më shumë se kaq.

Ky grup i njohur për Hollywood-in, ka thyer tabutë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke themeluar një klub futbolli për vajzat. Klubi quhet Angel City dhe është me bazë në Los Angeles.

Krah tyre janë bashkuar ish-futbollistja Mia Hamm dhe tenistja amerikane Serena Williams.

Ideja për një klub futbolli për vajzat e ka zanafillën në vitin 2015, kur Natalie Portman pa si spektatore finalet e një turneu futbolli për vajzat në Kanada dhe ku kishte vënë re mungesë të theksuar tifozësh, por sidomos fanellash për vajza në tregun e veshjeve sportive.

Si përfundim, pas disa diskutimesh në grup, lindi ideja e krijimit të një skuadre bazë, apo për blerjen e një klubi, i cili do të promovonte jo vetëm sportin për vajzat, por edhe sipërmarrjen nga gratë.

Natalie nxiti shoqet e saj aktore të ndiqnin disa ndeshje të përfaqësueses amerikane të futbollit duke ia ngjitur edhe atyre pasionin për mbështetjen e futbollit të vajzave.

Ato gjetën mbështetjen e sipërmarrëseve të tjera si Kara Nortman, Julie Uhrman, apo dhe Serena Williams. Ato i kanë ndihmuar vajzat për ta konkretizuar idenë në Angel City Football Club.

Ekipi është themeluar zyrtarisht në gusht të vitit 2019 dhe tashmë është regjistruar në Federatën Amerikane të Futbollit për Vajza.

Aktoret e njohura janë duke u munduar të krijojnë grupet e tyre të tifozëve. Kryesisht shfrytëzojnë rrjetet sociale ku po përhapin më shumë pasionin dhe dëshirën për të ndjekur futbollin e vajzave.

Angel City pritet të debutojë këtë vit në kampionatin amerikan të futbollit, i cili starton në fund të verës.

Ky është klubi i parë për futbollin e vajzave në Los Angeles, pas Los Angeles Sol, që falimentoi në vitin 2010 tre vite pas themelimit.

Vajzat e Hollywood-it shprehen entuziaste se sipërmarrja e tyre nuk do të ketë të njëjtin fund, pasi synojnë që përmes ndikimit direkt të tyre ta përhapin shumë më tepër sportin e vajzave se sa është aktualisht.