
Aksidenti tek ‘Diga e Liqenit’, reagon Veliaj me videon e plotë
Ditët e fundit mediat shqiptare, portalet por edhe rrjetet janë mbushur me video makinash që herë përfundojnë në lumë, herë në lokal, herë në bordurë, dhe si në rastin e fundit pranë digës së liqenit dhe jo të pakta janë rastet tragjike me të lënduar apo viktima.
Së fundmi bëhet fjalë për të riun nga Durrësi i cili siç shihet në video, përfundon me makinën në digën e Liqenit, dhe tashmë është në kërkim nga policia pasi u largua nga vendi i ngjarjes.
Videoja po qarkullon kudo, dhe kreu i bashkisë së Tiranës , Erion Veliaj ka reaguar me videon e plotë ku shkruan se do të kërkohet dënim maksimal për shoferin tashmë në kërkim dhe se do të ketë tolerancë zero për të dhe këdo që kërcënon jetën e bashkëjetesës së sigurt.
Reagimi i plotë i Veliajt:
Tani çdo gjë është kthyer në normalitet, por shpejtësia skëterrë e shoferit (jo e makinës – se makina s’ka vendimarrje në çmenduri) që përfundoi mbi digën e Liqenit, rrezikon qytetarët por dhe vetë të lojturin që veç bordura e shpëtoi nga mbytja në Liqen! Bashkë me Policinë e Shtetit kemi mbledhur provat e do kerkojmë dënim maksimal për shoferin tashmë në kërkim – zero tolerancë për kërcënuesit e jetës e bashkëjetesës në qytet!
Deklarata e policisë:
Më datë 22.08.2023, rreth orës 05:15, në Rrugën e Kosovarëve, dyshohet se automjeti tip “BMW” me drejtues shtetasin E. A., 26 vjeç, banues në Durrës, ka dalë jashtë rruge dhe është ngjitur në skarpatin e digës së liqenit, më pas është përplasur me bordurën mbrojtëse anës liqenit.
Drejtuesi ka braktisur automjetin dhe është larguar nga vendi i aksidentit.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.