
Aksidenti në mbikalimin e Saukut, identifikohen viktimat. Shoferi i ri me shpejtësi 260 km/h
3 persona kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti tragjik mbrëmjen e djeshme në mbikalimin e Saukut. Përveç shoferit të Audit Q8, Klevis Ruçaj, 20 vjeç, kanë humbur jetën dhe Eriselda Abedini, 22 vjeçe dhe Sikela Përroi, 23 vjece, të dyja banuese në Tiranë.
Dy vajzat e reja ndodheshin në makinën Audi që drejtohej nga 20 vjeçari nga Fieri, Klevis Ruçaj.
Sipas hetimit paraprak, rezulton se shoferi i makinës “Audi” po lëvizte me shpejtësi 260 km/h, në kohën kur ndodhi aksidenti.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes nga grupi hetimor në rrugën që ka pershkuar 20-vjeçari i cili vinte nga unaza lindore-nga Farka drejt rrethotullimit të TEG-ut, duket se ai nuk ka patur mundësi të frenojë.
Sipas policisë, 20 vjeçari i pajisur me patentë në vitin 2021, kishte marrë disa herë masa administrative, konkretisht 5 herë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Ndërkaq, nga aksidenti janë plagosur dhe 2 persona të tjërë, të cilët po udhëtonin me makinën që Audi i përfundoi sipër.
Njoftimet e policisë për aksidentin e ndodhur mbrëmë në mbikalimin e Saukut
Saktësim mbi informacionin paraprak të dhënë pak minuta më parë.
Rreth orës 17:55, në rrethrrotullimin pranë qendrës tregtare “TEG”, ka ndodhur një aksident rrugor ku janë përfshire automjeti tip “Audi” dhe automjeti tip “Honda”.
Referuar mekanizmit dhe të dhënave paraprake dyshohet se automjeti tip “Audi” me drejtues shtetasin K. R., vjeç 24, ka qenë duke udhëtuar ne unazën lindore me drejtim levizje nga Farka per tek rrethrrotullimi pranë Teg, dhe pasi ka humbur kontrollin, duke thyer barrierat rrethuese te mbikalimit, ka përfunduar në autostradën Tiranë-Elbasan, duke aksidentuar automjetin tjetër tip “Honda”, me drejtues shtetasin me iniciale Q. K., rreth 60 vjeç.
Si pasojë e aksidentit rrugor kanë humbur jetën dy shtetase të pa identifikuara akoma, të cilat ishin pasagjere ne automjetin “Audi” si dhe ka mbetur i dëmtuar rëndë drejtuesi i këtij automjeti, si dhe shtetasit A. K., 51 vjeç, O. K, 24 dhe Q. K, rreth 60 vjeç, që udhetonin me automjetin tjetër.
Tiranë/Informacion shtesë
Në vijim të aksidentit të dhënë më parë, të ndodhur në afërsi të rrethrrotullimit të TEG-ut, ku humbën jetën dy shtetase, ju informojmë se:
Si pasojë e dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë në spital shtetasi K. R., 20 vjeç, drejtuesi i automjetit tip “Audi”.