Aksident i rëndë në Greqi, përplasen dy trena, 36 të vdekur dhe 85 të plagosur

Greqia është shokuar nga një prej aksidenteve më të mëdha hekurudhore në historinë e saj.

Një tren pasagjerësh me 350 udhëtarë është përplasur me një tren mallrash në luginën e Tembit pranë Larisës.

Si pasojë 36 persona kanë gjetur vdekjen dhe 85 janë plagosur, prej të cilëve 25 ndodhen në gjendje kritike. 270 të tjerë janë transportuar me autobusë në Selanik.

Përplasja ka ndodhur pak pas mesnate kur treni i pasagjerëve me destinacion nga Athina në Selanik është përplasur me një tren mallrash me drejtim të kundërt dhe ka marrë zjarr.

Sipas dëshmitarëve okularë dy vagonet e para janë shkatërruar tërësisht, ndërsa tre vagonë të tjerë të trenit të pasagjerëve kanë dalë jashtë shinave. Spitalet e gjithë zonës janë vënë në gatishmëri për të trajtuar të lënduarit, në vendngjarje ndodhet edhe ministri i Shëndetësisë.

Megjithëse shkaqet e aksidentit nuk dihen ende, vlerësohet se kemi të bëjmë me një gabim njerëzor. Dyshohet se përgjegjësi i stacionit në Larisa e ka futur trenin e pasagjerëve në binarë të gabuar, duke rezultuar që të dy trenat të ndodhen në të njëjtën trase nga dy drejtime të ndryshme dhe të përplasen me forcë të madhe. Vlerësohet gjithashtu se numri i viktimave do të rritet pasi ende nuk janë gjendur pasagjerët e dy vagonëve të parë.