
Abonime TV-Mobile për 1 euro, oferta e TIBO për studentët në Tiranë
https://www.facebook.com/tibo.tv/videos/791548445150918/
Platforma TIBO vijon t’u kushtojë rëndësi të veçantë të rinjve. Së fundmi ajo do t’u mundësojë studentëve abonimet TV Mobile për vetëm 1 euro në muaj.
Oferta vjen pas marrëveshjes me Agjencinë e Rinisë në Bashkinë Tiranë si pjesë e paketës së sipërmarrjeve që ofrojnë çmime të reduktuara për përfituesit e kartës së studentit.
“TIBO është një nga marrëveshjet e sapo-firmosura ndërmjet Agjencisë së Rinisë dhe platformës TIBO, e cila ofron për të gjithë [studentët] kartë-mbajtësit qindra kanale [televizive], të cilat janë të aksesueshme edhe në telefonin e tyre vetëm për 1 euro,” – tha Drejtuesja e Agjencisë së Rinisë Enkelejda Hamzaj.
“Mora njoftimin nga aplikacioni Karta e Studentit, që TIBO ishte bërë pjesë e Kartës së Studentit, për mua ishte diçka shumë e mirë sepse unë TIBO-n e përdor si platformë televizive edhe në shtëpinë time, kështu që mu duk diçka shumë e mirë që ta kesh televizorin gjithmonë me vete,” – tregoi për Tibo News një studente.
Përveç ofertës TV Mobile për 1 euro në muaj, TIBO u ofron studentëve edhe paketën televizive “Premium” me gjysmë çmimi. Ata kanë mundësi t’i përfitojnë këto oferta në të gjitha dyqanet TIBO në zona të ndryshme të kryeqytetit si “Astiri”, “Pallati me Shigjeta”, “Rruga e Kavajës”, “Komuna e Parisit”, “Xhamlliku” etj.
Prej vitit 2019, mijëra të rinj që studiojnë në kryeqytet kanë pasur mundësinë të përfitojnë produkte dhe shërbime me çmime të reduktuara falë kartës së studentit.
Agjencia e Rinisë, e cila menaxhon rrjetin e kartave ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me mbi 2000 sipërmarrje teksa ka shpërndarë karta për mbi 70% të studentëve në universitetet publike dhe jopublike të Tiranës.
Duke folur për Tibo News drejtuesja e Agjencisë, Enkelejda Hamzaj, tha se koha po i bind edhe skeptikët se karta funksionon dhe përdorimi i saj ua redukton shpenzimet studentëve.
“Ndoshta ka dhe sot [studentë] që janë skeptikë, por në momentin që nisin të përdorin shërbimet e kartës, padiskutim që ndjejnë se të përdorësh kartën e studentit nuk do të thotë vetëm që do të marrësh më shumë shërbime, por që do të kursesh më shumë para në fund të muajit apo vitit,” – tha Hamzaj.
Karta e studentëve lëshohet pa pagesë, vlefshmëria e saj përkon me kohëzgjatjen e studimeve, përmban nr. matrikullimi, ka një barcode të caktuar dhe ka akses në të gjitha institucionet apo subjekte, të cilat në mjediset e tyre kanë të afishuara stikerat me logon “kartaestudentit”.
Përveç platformës të ngritur on-line kartaestudentit.al tanimë Aplikacioni Karta e Studentit shkarkohet si në Android ashtu edhe IOS.
Prej janarit 2022 Agjencia e Rinisë është akredituar në programet e ERASMUS+ “European Solidarity Corps” ku të rinjtë e Tiranës mund të angazhohen në punë vullnetare edhe në organizatat europiane. Mundësi unike kjo për të përfituar përvojë. Për këtë drejtuesja e Agjencisë u bëri apel të rinjve që të mos hezitojnë për t’u angazhuar.