A$AP Rocky arrestohet në Los Angeles

Reperi amerikan A$AP Rocky u arrestua në lidhje me të shtënat e nëntorit 2021 teksa mbërriti nga Barbados në Aeroportin Ndërkombëtar të Los Angeles të mërkurën.

Oficerët e Departamentit të Policisë së Los Angeles dhe Forcat e Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së arrestuan artistin 33-vjeçar i cili mbërriti me një avion privat nga ishulli i Karaibeve, ku po pushonte me të dashurën e tij këngëtaren Rihanna.

Policia në Los Angeles po hetonte Rocky-n, emri i vërtetë i të cilit është Rakim Mayers, për përfshirjen e tij të mundshme në të shtënat e 6 nëntorit në Hollywood. Viktima i tha policisë se Mayers dhe dy persona iu afruan me një pistoletë ndërsa ai po ecte në rrugë.

Viktima tha se Mayers qëlloi mbi të tre deri në katër herë dhe një plumb përfundoi në dorën e tij të majtë, sipas policisë.

Avokati që përfaqëson A$AP Rocky dhe zëdhënësi i policisë së Los Angeles nuk pranuan të jepnin komente mbi arrestimin e këngëtarit.

Në janar, Rihanna njoftoi se ishte në pritje të fëmijës së saj të parë me A$AP Rocky dhe ditët e fundit u diskutua se ky i fundit e kishte tradhtuar këngëtaren me shoqen e saj të ngushtë, por çifti nuk ka reaguar për thashethemet.

A$AP Rocky mori një dënim me kusht për rolin e tij në një përleshje në Stokholm në gusht 2019. Reperi dhe dy anëtarë të rrethit të tij u dënuan për shkelmimin dhe rrahjen e një 19-vjeçari pas një debati, ndërkohë që u justifikuan se kishin vepruar në vetëmbrojtje.