A rikuperohet gjumi i humbur?

Gjumi është i nevojshëm dhe thelbësor për të kryer proceset e rigjenerimit të trupit tonë.

Një eksperte spanjolle, Elena Urrestarazu, e cila është nënkryetare e Shoqatës Spanjolle të Gjumit, ngre shqetësimin se njerëzit në shoqërinë e sotme po flenë gjithmonë e më pak: “Gjumi nuk është diçka që mund ta rikuperojmë”.

Specialistja thekson se grumbullimi i mungesës së gjumit çon në efekte të dëmshme afatgjata për shëndetin: “Në një nivel endokrin, metabolik dhe hormonal, trupi ynë ka nevojë për atë minimum orësh gjumi, i cili është i ndryshëm për çdo person, për të përfunduar të gjitha proceset. Nëse nuk i bëjmë orët e gjumit, përveç ankthit apo humorit të keq, nervozizmi rritet pa e kuptuar”.

Po kështu, gjumi më pak se 7 orë (koha minimale e rekomanduar nga ekspertët) nënkupton një rrezik në rritje për mbipeshë, diabet, infeksione ose përkeqësim të shëndetit të trurit: “Ndoshta gjëja më ekstreme është se rrit edhe probabilitetin për të vuajtur nga disa lloje kanceri, veçanërisht ato me një komponent hormonal. Kanceri i prostatës dhe gjirit për shembull”.

“Gjumi është i përfshirë në procese të panumërta fiziologjike, të tilla si konsolidimi i kujtesës, rregullimi hormonal, kontrolli i përgjigjes imune dhe inflamatore, rregullimi vaskular, përpunimi emocional… kjo është arsyeja pse gjumi me cilësi të dobët zakonisht lidhet me probleme të shumta shëndetësore,” thotë një tjetër specialiste spanjolle, Ana Fernández.Shumë njerëz mendojnë se gjumi mund të kompensohet duke fjetur më shumë në fundjavë. Por, a rikuperohet vërtet?“Nëse nuk është e mundur të flini mjaftueshëm gjatë javës, flini më shumë të shtunave dhe të dielave. Më mirë të flesh më shumë këto dy ditë sesa mos e bësh, por kjo nuk do të thotë se problemi do të zgjidhet. Diçka e tillë e ul mundësinë e Alzheimerit, por nuk e zhduk. Nëse bëni vetëm 10 orë gjumë nga e hëna në të premte, kjo kohë nuk do të rikuperohet në fundjavë. Është njësoj sikur nuk ke fjetur për 24 orë”, përgjigjet Urrestarazu.