
A po divorcohen Shakira dhe Pique?
Këngëtarja kolumbiane Shakira dhe mbrojtësi i FC Barcelona, Gerard Pique janë duke u ndarë, konfirmoi çifti në një deklaratë përmes agjencisë së tyre këtë të shtunë.
“Me keqardhje konfirmojmë se po ndahemi. Për mirëqenien e fëmijëve tanë, të cilët janë prioriteti ynë më i lartë, kërkojmë që të respektoni privatësinë e tyre”, thuhet në deklaratë.
Shakira, 45 vjeç dhe Pique, 35 vjeç, janë bashkë që nga viti 2011 dhe kanë dy fëmijë. Ata u takuan pak para Kupës së Botës 2010 në Afrikën e Jugut, kur ai u shfaq në videoklipin e Shakira-s “Waka Waka (This Time for Africa)”, kënga zyrtare e turneut.
Këngëtarja e “Hips Don’t Lie” po përballet me një gjyq mbi akuzat e dyshuara për mashtrim tatimor në Spanjë pasi humbi një apel më 26 maj. Prokurorët pretendojnë se ajo nuk ka paguar deri në 14.5 milionë euro (15.54 milionë dollarë) tatim mbi të ardhurat e fituara ndërmjet 2012 dhe 2014.
Ekipi i saj ligjor tha në deklaratë se do të vazhdojë ta mbrojë çështjen e saj me argumente të forta ligjore.
“Sjellja e Shakira-s në çështjet tatimore ka qenë gjithmonë e patëmetë në të gjitha vendet që ajo duhej të paguante taksat dhe ajo ka besuar dhe ndjekur me besnikëri rekomandimet e specialistëve dhe këshilltarëve më të mirë”, thuhet në deklaratë.