
A mund të ofrohet mishi në hapësirë?
Të dy, Jeff Bezos dhe Elon Musk duan të kolonizojnë hapësirën.
NASA gjithashtu po përpiqet të dërgojë njerëzit në sipërfaqen me pluhur të Marsit. Por përse njerëzit duan të krijojnë komunitete në hënë ose planetë dhe pyetja tjetër me rëndësi është: Çfarë do hanë atje?
Shumë eksperimente janë kryer për të parë nëse bimët mund të lulëzojnë në hapësirë. Dhe që nga java e kaluar, ka nisur një test i ri për të parë nëse qelizat e mishit mund të zhvillohen atje.
Ishte një hap i vogël pilot për të provuar një burim të mundshëm lëndësh ushqyese, një hap ndoshta edhe i madh, për të ardhmen e udhëtimit në hapësirë.
Eksperimenti i fundit vjen nga Aleph Farms, një kompani izraelite që është e specializuar në rritjen e mishit nga qelizat dhe po kryhet nga ekipi i parë i astronautëve tërësisht privat që viziton Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.
Megjithatë, skeptikët thonë se metoda është shumë e paqëndrueshme për astronautët dhe se rritja e mishit të hapësirës nuk do të jetë kurrë më e thjeshtë se sa thjesht të dërgohet nga Toka.
Zvika Tamari, e cila drejton programin hapësinor të Aleph Farms, thotë se shkencëtarët nuk e dinë nëse kjo mund të përsëritet në gravitetin zero.
Nga kompania Aleph Farms argumentohet se transportimi i ushqimit në hapësirë është jashtëzakonisht i kushtueshëm. Shifrat ndryshojnë, por një vlerësim i NASA-s nga viti 2008 e vendosi koston në 10 mijë dollarë. Pra 10 mijë dollarë vetëm për të futur një kilogram produkt në orbitën e Tokës.
Dhe do të kushtonte shumë herë më shumë për të dërguar një kile ushqim në Mars.
Sigurisht, nëse çështja e dërgimit të njerëzve në Mars është serioze, edhe ushqimi duhet të trajtohet me të njëjtin seriozitet.
Aleph Farms ka ambicie të larta, por të vërtetosh se mishi mund të prodhohet edhe në një planet tjetër si Marsi do të ishte një moment tjetër i rëndësishëm për botën tonë.
*Tibo News.