
A mund ta vrasë kancerin- teknologjia që u përdor tek vaksina e Covid?
Ata janë një ekip, burrë e grua që qëndrojnë pas një vaksine, më të suksesshmen kundër Covid.
Profesorët Ugur Sahin dhe Ozlem Tureci bashkëthemeluan kompaninë gjermane BioNTech në vitin 2008, duke eksploruar teknologjinë e re që përfshin ARN-në (mRNA), për të trajtuar kancerin.
Kur ra pandemia, ata u bashkuan me Pfizer për të përdorur të njëjtën qasje për të krijuar një vaksinë Covid.
Tani mjekët shpresojnë se kjo mund të çojë në trajtime të reja për melanomën, kancerin e zorrëve dhe lloje të tjera të tumorit.
BioNTech ka disa prova në vazhdim, duke përfshirë një ku pacientëve u jepet një vaksinë e personalizuar, për të nxitur sistemin e tyre imunitar të sulmojë sëmundjen e tyre.
Teknologjia mRNA që përdoret funksionon duke dërguar një instruksion ose plan tek qelizat për të prodhuar një antigjen ose proteinë.
Tek rasti i Covid ky antigjen është pjesë e proteinës spike të virusit. Në kancer do të ishte një shënjues në sipërfaqen e qelizave tumorale.
Përdorimi i fuqisë së mRNA për të prodhuar vaksina ishte i paprovuar deri kur erdhi puna tek Covid. Por suksesi i vaksinave mRNA në pandemi ka inkurajuar shkencëtarët që të punojnë me teknologjinë për të luftuar kancerin.
Provat e trajtimit të kancerit me mRNA nga BioNTech filluan shumë përpara pandemisë dhe kanë treguar disa sinjale të hershme inkurajuese.
“Çdo hap, çdo pacient që trajtojmë na ndihmon të zbulojmë më shumë rreth asaj që jemi kundër dhe si ta trajtojmë atë. Si shkencëtarë, ne gjithmonë hezitojmë të themi se do të kemi një kurë për kancerin. Kemi një sërë përparimesh dhe do të vazhdojmë të punojmë për to.”
Shumë prova premtuese kundër kancerit përfundojnë me dështim. Mund të kalojnë disa vite përpara se të dimë nëse trajtimet e BioNTech për kancerin e zorrëve, melanomën dhe llojet e tjera të tumorit vërtet i përmbushin pritshmëritë.
Megjithatë, nuk ka dyshim se vaksinat mRNA të Covid kanë qenë shumë të suksesshme dhe kanë bërë miliarda për BioNTech, Pfizer dhe Moderna.
Por një përleshje e madhe ligjore është duke u zhvilluar rreth inovacionit pas vaksinave mRNA.
Firma amerikane Moderna ka filluar veprimet ligjore kundër Pfizer dhe BioNTech për shkelje të patentave në thelb- duke pretenduar se elementët kryesorë të teknologjisë së tyre mRNA janë kopjuar.
Shkencëtari Sahin, shefi ekzekutiv i BioNTech, thotë se kompania do të mbrohet fuqishëm kundër akuzave.
“Inovacionet tona janë origjinale”, thotë ai duke shtuar: “Ne kemi shpenzuar 20 vjet kërkime në zhvillimin e këtyre lloj trajtimesh dhe sigurisht që do të luftojmë për këtë, për pronën tonë intelektuale.”
Këto mosmarrëveshje për patentën nuk do të ndalojnë përhapjen e vaksinave kundër Covid – të gjitha injektimet përforcuese të përdorura nga NHS janë vaksina mRNA. Është një teknologji që erdhi në pandemi. Pyetja tani është a mund të përballet me kancerin?
*Tibo News