A do të ketë rritje ekonomike globale në vitin 2024?

Rritja ekonomike globale parashikohet të ngadalësohet nga 2.7 për qind më 2023 në 2.4 për qind më 2024, sipas raportit të OKB-së për Situata Ekonomike Botërore dhe Perspektivat 2024, shkruan The Guardian.

Dobësimi i tregtisë globale, kostot e larta të huamarrjes, rritja e borxhit publik, investimet vazhdimisht të ulëta dhe rritja e tensioneve gjeopolitike vënë në rrezik rritjen ekonomike globale, thuhet në raport.

Rritja në shumë ekonomi të përparuara, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, parashikohet të ngadalësohet në vitin 2024 duke pasur parasysh normat e larta të interesit, uljen e shpenzimeve të konsumatorit dhe tregjet më të dobëta të punës.

Perspektiva afatshkurtër e rritjes për shumë vende në zhvillim, veçanërisht në Azinë Lindore, Azinë Perëndimore, Amerikën Latine dhe Karaibe, po përkeqësohet për shkak të kushteve më të shtrënguara financiare e zvogëlimit të hapësirës fiskale.

Ekonomitë me të ardhura të ulëta dhe të cenueshme përballen me presione në rritje të bilancit të pagesave dhe rreziqe të qëndrueshmërisë së borxhit.

Perspektivat ekonomike për shtetet e vogla ishullore në zhvillim do të kufizohen nga borxhet e mëdha, normat e larta të interesit dhe problemet me klimën, thuhet në raport.