A do ta zëvendësojë Italia Gjermaninë si fuqi ekonomike?

Ndërkohë që ekonomia e Gjermanisë ka ngecur në vend, ajo e Italisë po përjeton një hov zhvillimi. Por kjo ka pak të bëjë me politikën ekonomike të kryeministres ultra të djathtë, Giorgia Meloni.

Që prej 25 vjetësh Mauro Congedo dhe vëllai i tij gjejnë ndërtesa të vogla me bukuri arkitektonike në Salento, një gadishull në pikën më juglindore të Italisë, si të thuash në takën e çizmes italiane, në rajonin e Puljas, dhe i renovojnë ato.

Banesat dhe shtëpitë që Congedo restauron në këtë rajon skajshëm, gjejnë blerës edhe nga Gjermania apo Anglia. “Funksionon mirë sërish,” tregon në bisedë telefonike arkitekti 50-vjeçar.

Gjatë pandemisë së Coronës, biznesi u pezullua krejt. Por ajo që po ndodh tani pas Coronës në këtë sektor është “çmenduri”. Dhe koha ngec pak në vend, sepse ai e zgjat „a”-në. Por vetëm në dukje: Congedo nuk gëzohet shumë me hovin ekonomik të Italisë.

Nga fëmijë problematik në motor zhvillimi

Qeveritë e mëparshme të Romës e kanë pasur zakon, sidomos para pandemisë, që të njoftonin prognoza të këqija ekonomike duke arritur pozicione të rëndësishme në radhitjen e borxheve, kurse tani vendi është kthyer në motor zhvillimi në Europë. Tremujorin e fundit ekonomia italiane pati 0,6 përqind rritje, ndërkohë që ekonomia gjermane pati në të njëjtën periudhë kohore 0,3 përqind rënie ekonomike.

Por edhe jashtë kësaj periudhe, shifrat e ekonomisë së tretë më të zhvilluar të Europës flasin vetë. „Që prej vitit 2019 ekonomia italiane ka patur rritje prej 3,8 përqind,” thotë në bisedë me Deutsche Wellen, Jörg Krämer, kryeekonomist i bankës Commerzbank. Kjo rritje ekonomike është „dyfishi i rritjes ekonomike të Francës dhe pesë herë më e lartë se sa rritja ekonomike e Gjermanisë.”

Kurse në Gjermani prognozat janë të turbullta. Kështu për shembull Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin (OECD) parashikon rritje ekonomike 0,3 përqind. Ekspertët drejtues gjermanë mendojnë madje se rritja ekonomike do të jetë 0,1 në vitin në vijim. Kurse sipas OECD, Italia do e ketë rritjen ekonomike 0,7 përqind.

Edhe bursa përfiton nga atmosfera optimiste. Kështu indeksi kryesor Italian FTSE MIB, ku janë radhitur 40 sipërmarrjet më të mëdha, pati vitin e kaluar rritje 28 përqind, më shumë se të gjitha indekset e tjera bursiste europiane. Italia në kurs zhvillimi, një histori suksesi.

Rritet sërish besimi tek qeveria Meloni

Ekonomistët patën reaguar fillimisht të përmbajtur, kur Giorgia Meloni hipi në post në vjeshtë të 2022. Kryeministrja ultra e djathtë doli në fushatën zgjedhore me partinë e saj „Vëllezërit e Italisë” me mbajtjen e një kursi nacionalist ekonomik të llojit “Made in Italy”, nxitjen e urrejtjes ndaj migrantëve dhe mosdistancimin si duhet nga Rusia. E përjavshmja “Stern”, e quajti atë pas zgjedhjes „gruan më të rrezikshme të Europës”. Por nga pikëpamja e politikës ekonomike, Meloni vazhdoi të qëndronte në kursin e parardhësit të saj, Mario Draghit. Kjo është duke dhënë frutet e veta për Italinë, sidomos në tregun e përqindjeve të interesit. Kështu përqindja e interesit të borxheve që merr Italia është sërish në nivelin që ka qenë kur Meloni mori postin.

Gjatë një konference shtypi, mbajtur në fillim të vitit, Meloni u përpoq që ta quante meritë të vetes rritjen ekonomike. Meloni, e cila e ka siguruar tani mirë postin, tha se sidomos mungesa e stabilitetit politik në të kaluarën ka bërë që ekonomia të mos zhvillohet.

Por sa ka të bëjë zhvillimi ekonomik me sukseset e Melonit? “Pak”, thotë Jörg Krämer nga banka Commerzbank. “Zhvillimi i madh shpjegohet me politikën liberale fiskale të Italisë.” Që do të thotë se zhvillimi ekonomik i Italisë bazohet kryesisht tek marrja e borxheve të reja. Borxhet e reja të shtetit italian para Coronës përbënin 1,5 përqind të prodhimit të brendshëm bruto në vend, kurse vitet e fundit ato u rritën shpejt duke arritur në gjashtëmujorin e parë të 2023 në 8,3 përqind të prodhimit të brendshëm bruto në vend.

Edhe mali me borxhet e shtetit është duke u rritur. Kështu Komisioni i BE-së parashikoi në muajin janar se borxhet e shtetit do të arrijnë këtë vit nivelin e 140 përqindshit të prodhimit të brendshëm bruto të vendit, dhe vitin e ardhshëm do të vazhdojnë të rritet edhe më shumë. Sa për krahasim: në Gjermani e ashtuquajtura kuotë borxhesh ndodhet në nivelin e 66 përqindshit, kurse në Francë gati në nivelin e 100 përqindshit.

Programi gjigand i ndërtimeve nxit ekonominë

Që nga fundi i vitit 2020 shteti Italian financon marrjen e masave të ndryshme ristrukturuese. Disa masa ristrukturimi i ndihmon me 50 përqind, të tjera me edhe më shumë. Por sidomos i ashtuquajturi Superbonis 110, që jepet për masat ristrukturuese në fushën energjetike preferohet shumë: Kush kërkon që të renovojë energjinë në banesën ose shtëpinë e tij, ai i merr mbrapsht nga shteti të gjitha shpenzimet plus dhjetë përqind shtesë, duke patur lehtësime taksore që zgjasin disa vjet. “Mund të imagjinohet që investimet në ndërtim janë rritur shumë,” thotë ekonomi dhe njohësi i Italisë., Krämer. “Ky efekt shpjegon dy të tretat e zhvillimit ekonomik që jemi duke vërejtur.”

Arkitekti Mauro Congedo nuk është shumë entuziast me superbonusin. Sepse çdo gjë është shtrenjtuar shumë. Sepse çmimet nuk janë rritur vetëm prej inflacionit, por shpenzimet për materiale dhe personel janë rritur edhe prej superbonusit. “Kur shteti paguan çdo gjë, atëherë njerëzit nuk e vrasin mendjen sa do të vejë fatura,” thotë Congedo. Përveç kësaj, kurrkush nuk merret me kontrollin e çmimeve. Firmat e ndërtimit nga Napoli, Bari apo qendra e provincës, Leçe, i patën kërkuar atij disa herë që të korrigjojë shifrat e shpenzimeve. „Ata duan që unë të marr dyfishin. Por unë nuk e bëj. Sepse duket sikur jam duke vjedhur,” thotë Congedo.

Në përgjithësi ai mendon mirë për bonusin që jepet për renovimet në fushën energjetike të ndërtesave. Pronarët duhet të marrin pjesë tek shpenzimet dhe të mos ia lenë çdo gjë shtetit që ta paguajë. Congedo nuk ka ndonjë mendim të veçantë për kryeministren, Giorgia Meloni. E vetmja gjë e mirë e saj është që i dha fund superbonusit.

Lum parash nga Brukseli

Faktikisht kryeministrja ultra e djathtë e ka kufizuar Superbonusin që u fut nga Lëvizja pesë yjet. Në vitin 2023, shteti mori pjesë me 70 përqind të shpenzimeve të ndërtimit, kurse këtë vit 65 përqind të shpenzimeve të renovimit.

Megjithatë përfitimet taksore prej superbonusit do të ulin vitin e ardhshëm ndjeshëm të ardhurat e shtetit. Kjo i shkon për shtat qeverisë së Romës, sepse nga Brukseli do të vijnë miliarda. Italia merr shumë më tepër se shtetet e tjera para nga Fondi europian i rindërtimit të Coronës.

Deri në vitin 2026 Italisë do t’i jepen 200 miliardë euro në formë grantesh dhe kredish. „Të paktën deri në atë moment, shteti italian duhet të zvogëlojë deficitet e mëdha të buxhetit. Kur t’i duhet që të fillojë të kursejë, atëherë me siguri që do i vijë fundi edhe kësaj mrekullie zhvillimi ekonomik, sepse vite të tëra nuk janë shfrytëzuar për të bërë reformat strukturore,” thotë Jörg Krämer në bisedë me DW.

Edhe Mauro Congedo është i shqetësuar se superbonusi do e ndjekë për një kohë të gjatë. „Çmimet janë shumë të larta dhe ne kemi hyrë shumë në borxhe.” Puna nuk do marrë fund hë për hë: Aktualisht ai është duke punuar me tetë projekte njëkohësisht./DW