75 qirinj në tortën e ditëlindjes: Po si i ka punët NATO?

Në vitin 1949 armiku i NATO-s ishte në Lindje. Sot kemi rikthimin e NATO-s si në fillimet e saj, pasi përsëritet e njëjta gjë me Rusinë.

75 qirinj në tortën e ditëlindjes së NATO-s. Ajo është aleanca më e vjetër dhe e vetme ushtarake e përbërë nga shtete demokratike në botë. Ajo është gjithmonë tërheqëse. Aleanca filloi në vitin 1949 me 12 anëtarë. Sot janë anëtarësuar edhe 20 vende të tjera. Finlanda dhe Suedia u bashkuan kohët e fundit, sepse po kërkojnë mbrojtje nga Rusia. Ukraina dhe Gjeorgjia kanë rënë dakord të bashkohen për të njëjtën arsye. Zgjerimi i NATO-s drejt lindjes filloi 25 vjet më parë me futjen në këtë aleancë të ish-anëtarëve të Paktit të Varshavës, si Polonia, Republika Çeke dhe Hungaria.

Në atë kohë, në 50-vjetorin e NATO-s, kishte një ndjenjë optimizmi. Lufta e Ftohtë mendohej se ishte fituar. Rusia shihej si një partner. Në vitin 1997, Moska ra dakord kontraktualisht se nuk do të ngrinte asnjë kundërshtim për zgjerimin drejt lindjes. Shtetet baltike, Sllovakia, Sllovenia, Bullgaria dhe Rumania pasuan si anëtarë në 2004. Në vitin 2009, Shqipëria dhe Kroacia iu bashkuan aleancës. Në 2017 dhe 2020, NATO futi në gjirin e saj pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë – Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Por presidenti rus Vladimir Putin filloi të kritikojë kursin e NATO-s drejt lindjes në fillim të viteve 2000. Ai pohoi: Kur ish-RDGJ u pranua në aleancë përmes ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1990, Bashkimit Sovjetik iu premtua se NATO nuk do të zgjerohej në sferën e ndikimit të ish-sovjetikëve. Megjithatë, kjo nuk u specifikua kurrë me shkrim. Moska nënshkroi Aktin Rusi-NATO në 1997, i cili nuk përmban angazhime të tilla.

Në vitin 2008, NATO premtoi anëtarësim në parim për Gjeorgjinë dhe Ukrainën. Më së voni në atë pikë, Putin bëti një ndryshim strategjik. Ai solli pjesë të Gjeorgjisë nën kontrollin rus, në vitin 2014 Rusia aneksoi Krimenë e Ukrainës dhe mbështeti separatistët në Ukrainën lindore. Pastaj erdhi sulmi në të gjithë Ukrainën në 2022. NATO ende e mban hapur derën për anëtarësime të tjera. Po pse?

Dyshimet mbi rolin e SHBA-së

Në thelb, situata është e njëjtë si 75 vjet më parë kur NATO u themelua më 4 prill 1949 në Uashington. Perëndimi i lirë dëshiron të kundërshtojë kërcënimin në rritje nga Lindja ushtarakisht me mbështetje reciproke – nën ombrellën e armëve bërthamore të SHBA-së. Lufta e Ftohtë filloi.

“Për sa i përket situatës së kërcënimit dhe reagimit të NATO-s, gjithçka duket se është njësoj si atëherë. Mbrojtja kolektive është përsëri detyra kryesore. Nuk ka asnjë dyshim për këtë” thotë Matthias Dembinski nga Instituti i Leibnizit për Paqe dhe Hulumtimin e Konflikteve. Dallimi thelbësor në krahasim me vitin 1949, është se ekziston një mosbesim i fortë ndaj kombit udhëheqës të NATO-s – SHBA-së. Nëse presidenti i ardhshëm i SHBA-së është Donald Trump, formula aktuale e ndihmës mund të bëhet e pavlefshme. “Detyra me të cilën do të përballeshin evropianët në rastin më të keq hipotetik do të ishte e dyfishtë,” tha Matthias Dembinski. “Përkatësisht, të kompensohet lidershipi politik i SHBA-së, si dhe kontributet ushtarake që SHBA-të i kanë dhënë NATO-s deri më tani. Kjo është një detyrë herkuliane. Nëse do të ketë sukses, kjo nuk është e sigurt.”

Plot energji edhe pas 75 vjetësh?

Presidenti aktual i SHBA-së Joe Biden e quan formulën e ndihmës sipas nenit 5 të Kartës së NATO-s si “të shenjtë dhe të pacënueshme”. Sipas saj, një sulm ndaj një anëtari të NATO-s është një sulm ndaj të gjitha vendeve anëtare. Në samitin e fundit të NATO-s në vitin 2023 në Vilnius të Lituanisë, ai e përshkroi gjendjen e Aleancës së Atlantikut të Veriut si më poshtë: “Sot Aleanca jonë është një mburojë për stabilitetin dhe sigurinë globale, siç ka qenë për më shumë se shtatë dekada. NATO është më e fortë, më shumë energjike dhe më e bashkuar se kurrë më parë.”

Studiuesi i konflikteve, Matthias Dembinski thotë në një intervistë për DW se konfrontimi me Rusinë dhe mbështetja për Ukrainën po e bashkojnë aktualisht Aleancën. Me tani 32 anëtarë dhe interesat e tyre ndonjëherë kontradiktore, Aleanca nuk është gjithmonë në një atmosferë festive. “NATO ka efekte të rëndësishme të inercisë. E kjo mund ta paraqesë gjithmonë një aleancë të tillë me një sfidë ekzistenciale,” thotë Matthias Dembinski. “Gjëja interesante në lidhje me NATO-n është se ajo ka mbijetuar disi të gjitha krizat e saj deri tani – e ato kanë qenë vërtet të vështira. NATO ka qenë çuditërisht e adaptueshme deri më tani ndaj situatave.”

Pistorius kërkon ndryshime

Sfida për NATO-n sot është të kalojë nga misionet ndërkombëtare në mbrojtjen e lënë pas dore të territorit të saj, thotë ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius, në një intervistë për Deutsche Wellen. Duhet të kthehemi tek rrënjët dhe shpejt. “Ne po e kthejmë timonin me shpejtësi të plotë, si të thuash. Tani po ndalojmë drejtimin e operacioneve ndërkombëtare të krizave dhe misioneve të huaja. Ne duhet të ndërrojmë drejtimin, drejt mbrojtjes kombëtare dhe Aleancës. Kjo kërkon ca kohë. Por kjo po bëhet më dinamike, mendoj unë.”

E ardhmja e NATO-s do të varet nga rezultati i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, edhe pse Ukraina nuk është ende anëtare. Kjo është një çështje besueshmërie për Aleancën, thotë ish-zëdhënësi i NATO-s dhe drejtori i komunikimit, Jamie Shea. “Edhe nëse Ukraina arrin të mposht Rusinë dhe të çlirojë territorin e saj, Rusia do të mbetet dashakeqe dhe hakmarrëse. Ajo nuk do ta dojë NATO-n. Fatkeqësisht, Rusia do të mbetet kërcënimi më i madh për NATO-n për shumë vite.”/DW