Ambasada e SHBA-ve reagon pas sulmeve të Metës ndaj SPAK

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka reaguar lidhur me sulmet ndaj SPAK-ut të cialt i konsideron sulme të “drejtpërdrejta dhe të tërthorta”.

Ambasada ka përshëndetur qëndrimin që ka mbajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë pas deklaratave të ish-Presidentit Ilir Meta kundër kreut të SPAK, Altin Dumani. Në reagim theksohet se SHBA do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë.

“Përshëndesim dënimin nga KLP të sulmeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë. SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë”.

Edhe dje, Këshilli i Prokurorisë dënoi “çdo gjuhë urrejtje, shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme”.

Reagimi i KLP-së erdhi pas akuzave të ish-Presidentit Meta. Ky i fundit tha se sipas të dhënave të tij, SPAK ka nisur hetimin për çështjen e CEZ-it pasi Dumani është takuar me Charles McGonigal.

Në lidhje me këtë deklaratë reagoi vetë kryetari i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani. Ai u shpreh se nuk e ka takuar kurrë McGonigal dhe se gjithçka thuhet në media kundër tij, është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme e të pabaza që bëhen për institucionin që ai drejton.