620 të dënuar do përfitojnë nga Amnistia

620 të dënuar do të përfitojnë nga amnistia penale e cila pritet të miratohet në Dhjetor. Ministria e Drejtësisë njoftoi se ka dorëzuar në Kryeministri draftin final, ku ka reflektuar edhe kërkesat e SPAK, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

Kërkesa e tyre ishte që amnistia të përfshinte një periudhë kohe më të gjatë dhe nga Qershori 2023 që ishte parashikuar në draftin e parë, në përfundimtarin, aministia do ketë efekt në vendime të dhëna deri në 30 Nëntor 2023. Kjo rriti numrin e të dënuarve që përfitojnë, nga 570 në 620.

Referuar draftit nga aministia do të përfitojnë meshkujt të dënuar me burgim deri në 3 vjet dhe femrat e dënuara me vendim të formës së prerë deri në katër vjet. Do të përfitojnë nga amnistria edhe të burgosurit që u kanë mbetur 3 apo 4 vite dënim, për burrat dhe gratë. Ndërkohë do të pushohet ndjekja penale për pjesën më të madhe të kundërvajtjeve penale që dënohen me dy vite heqje lirie.

Një vit ulje dënimi përfitojnë meshkujt dhe një vit e gjysmë gratë dhe të miturit, të cilët nuk përfitojnë amnisti si të tjerët. Përjashtohen nga amnistia të dënuarit për krime kundër jetës së individit apo krime kundër shtetit, duke përfshirë raste të korrupsionit.