
6 simbolet e vjeshtës
Kjo është periudha zyrtare e vjeshtës dhe e gjejmë veten duke kërkuar për xhaketa të ngrohta e ndonjë shall tek tuk. Të ndalojmë pak tek vjeshta si stinë, e cila mban fshehur disa simbolika. Sipas kulturave antike, shkenca dhe astrologjia, e lidh vjeshtën me simbole interesante që tregojnë ndikimin e natyrës tek ne.
- Ndryshimi
“E vetmja gjë e përhershme është ndryshimi” thonte Herakliti në filozofi. Vjeshta është pikërisht ajo që na kujton se gjithçka rreth nesh është përherë e ndryshueshme. Stina fokusohet te jeta e përkohshme dhe rëndësia jetike për t’u jetuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Bëhet një krahasim paralel, njeriu duhet të shijojë momentet para se të jetë shumë vonë, kjo pasqyrohet me gjethet që braktisin pemën.
- Misteri
Në vjeshtë, pothuajse çdo ditë është një surprizë. Nis dita dhe ende nuk e di nëse do jetë ajër i freskët, ndonjë hije dielli apo shi. Edhe gjethet gjithashtu të cilat kanë fazë ndryshimi në dukjen e tyre, na krijojnë befasira. Kjo na bën më të guximshëm për të pranuar të panjohurat.
- Ruajtja
Fill pas kësaj stine vjen dimri, stinë e vështirë ku gjithsecili projekton plotësimin e nevojave që do kemi. Këtë periudhë, çdo gjallesë krijon terrenin, njerëzit dhe kafshët për të siguruar dimrin krijojnë hapësira dhe mendojnë për ushqimin, fermerët i përkushtohen të korrave dhe gjithçka merr një tjetër formë.
- Rehatia
Vjeshta si stinë, përfaqëson edhe rehatinë. Ulja dhe ngritja e temperaturave duket sikur thërret për një qetësi, ekuilibër dhe paqe.
- Ekuilibri
Në vjeshtë ditët dhe netët barazohen, derisa netët bëhen më të gjata. Ekuinoksi në këtë stinë përfaqëson balancën ndaj është periudhë mjaft e mirë të merremi me anën shpirtërore dhe të krijojmë një harmoni me Tokën.
- Bukuria e ikjes
Jo vetëm fillimet, por ndonjëherë edhe përfundimi e ikja e diçkaje simbolizon të bukurën. Ikja në këtë rast tregon që ka përfunduar një proces dhe e mira është ta lëmë të shkojnë. Ashtu dhe si stinët, gjithçka është e përkohshme.