Getoar Selimi rrëfen luftën me sëmundjen: Më duhej të jetoja për vajzën

Getoar Selimi është një nga reperët më të dashur e më të famshëm shqiptar. Shumica e njohin përmes muzikës së tij, por pak dinë për jetën e tij private, përveç dashurisë dhe martesës me moderatoren e famshme Marina Vjollca. Të dy kanë sjellë në jetë vajzën e tyre dhe në këtë periudhë të jetës së tij, këngëtari rrëfen se ka kaluar vështirësi, për shkak të një problemi shëndetësor, ku rrezikonte të humbiste zërin.

Ai zbuloi se sëmundjen e mësoi gjatë një kontrolli shtatzënie të bashkëshortes së tij. Ishte një kontroll rastësor, por mjekët i thanë se kishte 4-5 vite me këtë sëmundje dhe se duhej operuar. Ai qëndroi në Itali dy javë gjatë dhe pas operacionit. Në intervistën për Berat Buzhalën, Getoari tregon:

“Unë kam menduar se po lind vajza, e duhet të jetoj e të jem mirë për të. Nuk doja as ta jepja veten shumë, se në këto raste më keq i bën të tjerëve se vetes. Mua më ka ndodhur më parë me djalin e tezes dhe besomë që e kam pasur të vështirë.

Njeriut kur i ndodh vetë i vjen një forcë e papërshkrueshme. Kjo ka ndodhur në nëntor të vitit të kaluar”.

Këngëtari foli edhe për takimin me doktorin dhe momentin e operimit.

“U takova me një doktor në Itali. Më tha puna jote është pak delikate. Nuk mundem ta mbaj private se del. Unë doja me e kry, nuk i mendoja të tjerat. U operova në Padova, shkoi shumë mirë. U ktheva, çdo gjë shkoi me sukses”. Tashmë këngëtari gëzon shëndet të plotë, së bashku me bashkëshorten, vajzën, familjarët dhe miqtë.