52 vjeçari vritet me çifte në Burrel, autori vetëdorëzohet në polici: Mora hakun e vajzës

Një 52-vjeçar është vrarë me armë zjarri paraditen e sotme në fshatin Vig të Burrelit. Viktima është identifikuar si Petrit Kuka, i cili u vra me armë zjarri nga 63-vjeçari me emrin Islam Meta.

Mësohet se autori i dyshuar i vrasjes e lajmëroi vetë policinë për vrasjen duke i treguar rrethanat e ngjarjes dhe më pas u vetëdorëzua.

Krimi dyshohet se ka ndodhur për shkak të një ngjarje që daton 11 vite më parë, kur në vitin 2013, viktima Petrit Kuka kishte plagosur vajzën e autorit, Islam Metës. Plagosja në atë ka ndodhur për motive të dobëta, pasi dyshohet se vite më parë, vajza ka patur lidhje me viktimën. 11 vite më pas, i ati është hakmarrë për plagosjen e vajzës, duke ekzekutuar Petrit Kukën me çifte.

Policia shkoi në vendngjarje pasi u njoftua për krimin dhe shoqëroi në komisariat Islam Metën, i cili u vetëdorëzua. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.