
5 mënyra si t’i ndihmojmë fëmijët të zgjidhin konfliktet
Jeta nuk është gjithmonë e lehtë. Por ndërsa të rriturit mund të debatojnë me një mik dhe më pas të zgjidhin pa problem, për fëmijët nuk është aq e lehtë, pasi zënkat me miqtë mund të ndihen si fundi i botës. Ndonjëherë, prindërit bëjnë gabime kur bëhet fjalë për t’i mësuar fëmijët e tyre se si të arrijnë një zgjidhje në konfliktet e tyre të përditshme. Këto janë 5 këshilla se si mund t’i ndihmoni fëmijët, vëllezërit apo motrat, ose ndonjë fëmijë tjetër t’i zgjidhin konfliktet me miqtë e tyre.
1. Ndihmojini të kuptojnë emocionet e tyre.
Ndonjëherë ne harrojmë se fëmijët në të vërtetë ndjejnë të njëjtat emocione si të rriturit. Ata thjesht nuk dinë se si t’i shprehin e kështu emocionet e tyre mund t’i kuptojmë nëpërmjet veprimeve të pakontrolluara të tyre. Pyesni se çfarë ndjejnë, duke shmangur pyetjet e thjeshta me përgjigje të paqarta dhe duke përdorur pyetje specifike për të identifikuar emocionin.
2. Zbuloni se nga vjen problemi.
Është e rëndësishme të kuptoni se çfarë e shkaktoi atë shpërthim emocional. Për shembull, fëmija mund të ndihet i zemëruar sepse vëllai ose motra e tij më e madhe nuk donte të luante me ta. Megjithatë, kjo mund të ketë një kuptim më të thellë, pasi ndoshta fëmija ndjen se vëllai ose motra e tij nuk i do më ose se po shoqërohen me fëmijë të tjerë dhe ndihen të zëvendësuar.
3. Hartoni zgjidhjet e mundshme.
Një pjesë e zgjidhjes së problemeve qëndron në zhvillimin e ndjeshmërisë, pasi fëmijët duhet të zhvillojnë aftësinë për ta vënë veten në vendin e tjetrit. Me kalimin e kohës, ata do të jenë në gjendje të njohin emocionet e tyre dhe të njerëzve të tjerë, si dhe të fitojnë më shumë aftësi sociale dhe të dëgjojnë të tjerët. Gjëja e rëndësishme është të ndihmoni fëmijën të qëndrojë pozitiv dhe ta siguroni atë se edhe nëse zgjidhja nuk është perfekte, e gjithë historia e ka një mesazh.
4. Komunikoni.
Një nga çelësat e zgjidhjes së problemeve është komunikimi, prandaj është e rëndësishme të praktikoni komunikim efektiv dhe të sigurt me fëmijët, në mënyrë që edhe ata të mësojnë ta përdorin atë në të ardhmen. Është thelbësore t’i dëgjojmë fëmijët në mënyrë që t’i ndihmojmë ata të organizojnë dhe emërtojnë emocionet e tyre.
5. Nuk ka asgjë më të mirë se një falja.
Ndonjëherë është e vështirë t’i bëjmë fëmijët të kuptojnë pse është kaq e rëndësishme të kërkosh falje, dhe ndonjëherë gabimisht i detyrojmë ata t’i kërkojnë falje dikujt. Ka mënyra që ata të kuptojnë rëndësinë e një faljeje të sinqertë pa pasur nevojë t’i detyrojnë ata të bëjnë diçka që nuk duan të bëjnë ose nuk e kuptojnë plotësisht. Po ashtu është me rëndësi t’i mësojmë ata si të falin dhe të pranojnë se të gjithë mund të bëjnë gabime.