AlbanianEnglish

5 arsye pse duhet vizituar Korça

“Qyteti i serenatave”, “djepi i kulturës”, “Parisi i vogël”… këto janë disa nga etiketimet për Korçën, që për të thënë të vërtetën, i rrinë për shtat.

Padyshim një nga qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë juglindore, si për nga kultura, po ashtu edhe për nga zhvillimi apo turizmit.

Me një atmosferë të këndshme e hera-herës thuajse aristokrate, Korça arrin të bëjë për vete të gjithë vizitorët vendas apo të huaj. Ajo tërheq jo vetëm për qendrën e saj, por edhe për rrethinat.

Më poshtë rendisim gjërat më interesante të Korçës dhe arsyet pse duhet të vizitoni.

Pazari i vjetër i Korçës

Pazari i Vjetër është padyshim lagja më e bukur në qytetin e Korçës.

Rrugët e ngushta me kalldrëm, ndërtesat e bukura që ruajnë një arkitekturë unike, kafenetë që gjallojnë si në verë ashtu edhe në dimër krijojnë një panoramë fantastike.

E sigurisht si mund të largohesh nga Korça pa shijuar një kafe në “qoshkën e Pazarit” që i jep edhe ngjashmëritë me Parisin.

Bulevardi Republika

Aktiviteti i rradhës është sigurisht një shëtitje në bulevardin kryesor të qytetit.

Bulevardi Republika, përgjatë gjithë gjatësisë së tij, shoqërohet me ndërtesa me një arkitekturë mjaft të bukur, paksa më ndryshe se ajo e zakonshmja në Shqipëri.

Sigurisht edhe baret, restorantet dhe pub-et nuk mund të mungojnë. Kjo pjesë e qytetit sjell një ndjesi paksa më moderne.

Sidoqoftë atmosfera e qytetit është ajo që e bën më ndryshe se një bulevard të zakonshëm pasi korçarët dinë ta bëjnë festive çdo mbrëmje apo pasdite të shëtitjeve.

Dëshmitë e zanafillës së shkollës shqipe

Gjatë shëtitjes nëpër qytet do të ndesheni patjetër me Mësonjëtoren.

Shkolla e parë laike shqiptare tashmë e kthyer në një muze dhe simbol të qytetit të Korçës. U hap më 7 Mars 1887 me kontributin e figurave të shquara si Naim dhe Sami Frashëri.

E rikonstruktuar dhe hapur si muze, edhe sot ajo qëndron krenare për të dëshmuar historinë e arsimit shqiptar.

Katedralja më e madhe në Shqipëri

Padyshim që një pikë tjetër shumë interesante në Korçë është edhe Katedralja Ringjallja e Krishtit.

Përveçse është katedralja më e madhe në Shqipëri, është edhe një simbol për rikthimin e lirisë fetare pas komunizmit.

Ndërtimi i kësaj katedraleje nisi në vitin 1994 mbi themelet e një kishe të rrëzuar nga regjimi diktatorial.

Ushqimi

Së fundmi, duhet përmendur patjetër edhe mundësia për të shijuar kulinarinë.

Zona e Korçës njihet për gatimet tradicionale dhe gjithnjë ka qenë një destinacion mjaft i dashur për të gjithë ata që kërkojnë një eksperiencë fantastike kulinarie.

Vizitoni Korçën dhe do të keni mundësi të provoni ushqime si: lakrori në saç, kërnackat, petullat e fshira dhe perimet e stinës.

Me siguri do t’ju kemi hapur oreksin! Përveç ushqimit, Korça ka diçka edhe për pijedashësit me birrën që mban të njejtin emër apo rakitë e ndryshme.

*Tibo News.

You don't have permission to register