35 vrasje gjatë vitit 2023, Balla njofton edhe ndryshime në ligj për Policinë e Shtetit

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka paralajmëruar ndryshime në ligjin për Policinë  Shtetit.

Këto ndryshime do të bëhen me qëllim rritjen e profesionalizmit në Policinë e Shtetit dhe rritjen në karrierë të efektivëve brenda kësaj organizate.

Pjesë nga deklarata e ministrit Balla: ‘Po përgatisim ndryshime rrënjësore në Ligjin për Policinë e Shtetit, jemi në fazën finale, para miratimit në Qeveri, për ta dinamizuar dhe energjizuar trupën drejtuese të Policisë dhe përmirësuar karrierën. Akademia e Sigurisë, është tashmë një Institucion i Arsimit të Lartë’.

Ndërkaq, ai bëri disa resyme mbi vitin që lamë pas sa i takon vrasjeve.

35 vrasje janë regjistruar në Shqipëri gjatë vitit 2023. Në analizën vjetore të Ministrisë së Brendshme, Balla theksoi se kjo shifër tregon për një ulje të numrit të vrasjeve në krahasim me vitet e mëparshme.

Por një tregues i keq është fakti që nga 35 vrasje, 11 prej të cilave janë krim në familje.

Ministri i Brendshëm kërkoi të bëhet më shumë punë nga drejtoritë dhe komisariatet e policisë për krimet e policisë dhe dhunën me bazë gjinore.