
33 shqiptar humbën jetën në vendin e punës në vitin 2021
Sipas të dhënave të publikuara nga Inspektoriati Shtetëror i Punës çdo dy ditë një shqiptar aksidentohet në vendin e tij të punës. Ndërkohë çdo 11 ditë një punonjës humb jetën në vendin e punës. Në vitin 2021, numri i fataliteteve arriti 33 persona, ndërsa 185 persona të tjerë u raportuan si të aksidentuar. OSHEE mban vendin e parë për aksidentet në punë, ndjekur nga ndërtimi dhe minierat.
Ndërsa në vitin 2020 ishte sektori i ndërtimit që zinte vendin e parë për aksidentet fatale për jetën, me 10 punëtorë të vdekur. Ndjekur nga ndërmarrjet prodhuese me 8 punëtorë që humbën jetën. Renditja vijonte me minierat dhe energjitikën. Sipas të dhënave nga Inspektoriati Shtetëror i Punës gjatë vitit 2021 duket se kemi një ndryshim të raportit. Në vend të parë për nga numri i të aksidentuarve në punë me pasojë vdekjen do të ishte sektori i energjisë me 8 punëtorë që kanë humbur jetën.
Viti 2014-të ishte viti me numrin më i lartë i personave të cilët kanë humbur jetën në sektorin elektrik, gazit dhe ujit me 14 punëtorë. Nga viti 2014-të deri në vitin 2021 janë plot 36 punëtorë të cilët kanë humbur jetën. Gjatë vitit 2021, Tirana do të mbante vendin e parë për numrin më të lartë të personave që kanë humbur jetën në vendin e punë me 7 persona, ndjekur nga Dibra, Shkodra dhe Vlora me 5 persona.
Nga shifrat alarmante duke se në vendin tonë nuk zbatohen ligjet që mbrojnë jetën e punëtorit në vendin e punës. Në shumë sisteme politike, zëri i punëtorëve përfaqësohet më së miri nga sindikatat, të cilat promovojnë interesat e tyre dhe lidhin kontratat kolektive të punës. Por në Shqipëri formalisht ka disa organizime sindikale, por që më shumë mbeten struktura formale se sa efektive, shpesh të shoqëruara edhe me akuza për politizim. Në këto kushte punonjësit nuk e shohin sindikatën si vendin ku duhet të trokasin për t`u mbështetur nëse gjenden përballë shkeljeve si mospagesë të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, mospagesë të rrogës në kohë, mungesë të sigurisë në punë etj.