3 fëmijët e Pëllumb Metës dalin para gjykatës, akuzohen për vrasjen e babait të tyre

Ditën e sotme dalin para gjykatës së Durrësit dhe pritet që të merren masat e sigurisë për 3 fëmijët e Pëllumb Metës, pasi akuzohen për vrasjen e babait të tyre. Prokuroria pritet që  të kërkojë masën e arrestit me burg, pasi dyshohet se ata kanë bashkëpunuar për të vrarë  babain e tyre.

Në dosjen e policisë që i është dërguar prokurorisë, një nga djemtë, 25-vjeçari Hysen Meta dyshohet për veprën “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim. Gjithashtu ndaj tij pritet të ngrihen dhe akuzat “Armëmbajtje pa leje dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”.

Policia dyshon se ai ka qëlluar me 4 plumba babanë e tij dhe nëse shpallet fajtor rrezikon burg përjetë.

Por edhe për motrën e vëllezërve dhe vajzën e Pëllumb Metës, Hygerta Meta 19 vjeçe janë ngritur akuzat: “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”.

Hygerta rrezikon dënimin nga 20 deri në 35 vite burg, pasi për gratë nuk parashikohet burg përjetë.

Ndërsa për vëllanë e vogël, 21-vjeçarin Amarildo Meta dyshohet se ka kryer veprën penale “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”. Ai rrezikon dënim nga gjobë deri në 5 vite burg nëse shpallet fajtor.

Ndaj bashkëshortes së viktimës, vijojnë hetimet teksa ajo është në gjendje të lirë.

Policia dyshon se ka kryer veprën “Veprime qe pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Në Kodin Penal kjo vepër parashikon gjobë deri në 3 vite burg

Ngjarja bëri bujë pak ditë më parë pasi fillimisht u akuzua 19 vjeçarja Hygerta Meta për vrasjen e babait, teksa ka pranuar në polici se e vrau pasi kërkonte ta fejonte pa dëshirën e saj. Por rrethanat e ngjarjes dhe hetimet zbuluan se e reja nuk kishte forcën fizike për të larguar trupin e pajetë nga vendi i ngjarjes dhe për ta varrosur pranë oborrit të shtëpisë, për shkak edhe të peshës së rëndë të të ndjerit. Kjo çoi në zgjerimin e pistës së hetimit dhe përfshirjen e familjarëve të tjerë.