
29 denoncime për zgjedhjet, Celibashi tregon rastet: 1 nga Helsinki
Procesi i votimit ka përfunduar ndërsa kanë mbetur pak qytetarë në radhë përtej orës shtatë të pasdites të cilët votojnë për kryetarin e Bashkisë në qytetin e tyre. Por a ishte perfekt ky proces zgjedhor? Sigurisht që jo, pasi incidentet dhe intimidimet nga të gjitha palët politike nuk kanë munguar.
Vetë kryetari i KQZ-së ilirjan Celibashi ka treguar për mediat se ka patur deri më tani në total 29 denoncime. Katër prej denoncimeve janë raportuar nga dy subjekte zgjedhore ose parti politike, dy denoncime nga Partia Socialiste për kandidatin e koalicionin Bashkë Fitojmë në Elbasan dhe Tiranë për thyerje të heshtjes zgjedhore nga dy kandidatë.
Gjithashtu ka një denoncim nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, që ka raportuar parregullsi në shpërndarjen e materialeve zgjedhore sa i përket orëve të para të fillimit të procesit të votimit.
Denoncimet e tjera vijnë nga Dropulli, lidhur me procesin e votimit, në Peshkopi dhe Tiranë për intimidim të votuesve si edhe postime elektorale në rrjete sociale.
Celibashi sqaroi se këto janë natyrat e denoncimeve ndërsa e fundit lidhet me votimin familjar. Ka denoncime mbi votim familjar në disa qendra votimi.