28 vjeçarja vdes në spitalin Amerikan 2, i bënë ndërhyrje plastike edhe pse ishte me kancer

Një 28 vjeçare ka humbur jetën ditën e djeshme, pas një ndërhyrjeje plastike në spitalin privat ‘Amerikan 2’ në Tiranë.

E reja me emrin Irida Hasalla i ishte nënshtruar operacionit për të hequr masë dhjamore ose e njohur si procedurë Liposuction. Por e reja kishte dy vite që kurohej nga kanceri në Belgjikë dhe sipas familjarëve ishte e ndaluar të kryente çdo lloj ndërhyrje tjetër.

“Vjen në Shqipëri për të bërë një vizitë te spitali Amerikan, për të bërë një operacion për të hequr disa kile. Sipas mjekëve ajo nuk duhej të ishte operuar fare se nuk i lejohet. Duke parë parasysh kartelën që ka nuk duhej të lejohej fare”, kështu ka deklaruar vëllai i saj jashtë ambienteve të Institutit të Mjekësisë Ligjore ku trupi i 28 vjeçares do i nënshtrohet autopsisë për të gjetur shkaqet e vdekjes.

Familjarë të Iridës kanë treguar se e reja kishte tumor në mitër dhe metastazat ishin përhapur në 75% të trupit.

Irida Hasalla kishte 10 vite që jetonte në Belgjikë dhe ishte atje me dokumente të rregullta. Tumori e kishte prekur në mitër dhe në 2 vezore.

Mbante emrin e motrës që i kishte vdekur 11 muajshe ndërsa shumë vite më parë kishte humbur të atin.

Të afërmit e njihnin si njeri të vendosur. Në Belgjikë punonte në një kafene ndërsa në Shqipëri kishte ardhur më 19 janar për të kryer ndërhyrjen plastike të heqjes së dhjamit me të cilët duket që kishte dëshirë të ndryshonte pamjen ndërsa duket që kishte marrë garancinë nga mjekët se nuk kishte asnjë rrezik. Për operacionin fatal shoqja e Iridës thotë se ajo kishte paguar 4 mijë euro për ndërhyrjen.

Paratë madje ishin dhënë me urgjencë në orët e vona të mbrëmjes.

Irida ka dalë mirë nga operacioni, deri të nesërmen e 30 janarit në orën 10:00 kur sapo u ngrit në këmbë pësoi trombozë. Ngjarja lë shumë mistere mbi faktin se pacientja me shumë gjasa i është nështruar analizave dhe do ketë treguar që prej dy vitesh trajtohej nga kanceri.