261 institucione shëndetësore shqiptare akreditohen për standarde cilësore

Data 12 dhjetor shënon Ditën Botërore të Mbulimit Shëndetësr Universal, e cila në Shqipëri përkoi me akreditimin e 261 institucione shëndetësore në vend.

Procesi i akreditimit, tashmë i përfunduar, u shoqërua me një organizim nga Ministria e Shëndetësisë ku theksoi se nga numri total 4 janë spitale universitare, 11 janë spitale rajonale, 19 janë spitale bashkiake, 225 qendra shëndetësore në gjithë vendin si dhe 2 klinika shërbimi shëndetësor jopublik.

Ministrja Ogerta Manastirliu e konsideroi një proces sfidues dhe tejet të rëndësishëm plotësimin e standardeve të infrastrukturës shëndetësore.

Ajo tha se procesi ka qenë i gjatë, por që në fund ka pasur rezultate domethënëse.

“Sot ne japim çertifikatat e akreditimit për 261 institucione shëndetësore. 261institucionë shëndetësore akreditohen duke marrë standardet e vlerësimit bazë dhe optimale, nga një bord i akreditimit të Agjencisë së Standardeve të Cilësisë dhe Kujdesit Shëndetësor, pas një procesi, i cili ka qenë i gjatë, i cili ka kërkuar shumë mund nga të gjithë ju, por në fund i’a kemi dalë. Janë 4 Spitale Universitare që akreditohen, janë 11 Spitale Rajonale që akreditohen, janë 19 Spitale Bashkiake që akreditohen, janë 225 Qendra Shëndetësore që akreditohen, janë 2 klinika jopublike që akreditohen. Dhe kjo është një punë që është finalizuar përgjatë këtij viti”, tha Manastirliu.

Duke folur për forcimin e kapaciteteve në strukturat shëndetësore, Manastirliu tha se krahasuar me 5 vite më parë, ku të akredituara ishin vetëm 5 struktura, tashmë projektet e rehabilitimit të shumë qendrave shëndetësore kanë dhënë rezultat.

Qeveria ka mundur të rehabilitojë 300 qendra shëndetësore me fazën e parë të projekteve, ndërsa në fazën e dytë parashikohen rreth 100 qendra të tjera.

“Ne kemi ndërtuar dhe kemi rindërtuar strukturat tona të materniteteve, janë 5 maternitete të cilat janë rindërtuar në këto vite. Janë 5 spitalet pediatrike të cilat janë rehabilituar apo ndërtuar në të gjithë vendin, ndërkohë që vijon dhe rehablilitimin e strukturave tona të kujdesit spitalor në të gjithë vendin. Sot kemi spitale të kompletuara, në të gjithë aspektet e shërbimeve horizontale, që prekin laboratorin dhe imazherinë. E theksoj këtu sepse deri përpara disa vitesh ishte një përpjekje shumë e madhe që bëhej për të marrë një shërbim bazë të kompletuar në një spital rajonal. Sot nuk ke nevojë më t’i përsërisësh analizat, kur shkon në qendrën spitalore universitare, sepse ke të njëjtin standard si në Dibër, si në Kukës, si në Sarandë, si në Vlorë, pra kemi bërë një hop cilësor”, u shpreh Manastirliu.

Duke folur për pagesat për performancë, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se vitin e ardhshëm do të ketë një ndryshim cilësor edhe në këtë pikë ku kontratat e reja do të kenë si bazë performancën e stafit.

“Ligji i ri i Kujdesit Spitalor nëpërmjet modelit të Autonomisë Spitalore do të bëjë të mundur që të hapë një tjetër rrugë drejt pagesave dyfishe, drejt pagesës për performancë, drejt efiçiencës dhe efikasitetit të përdorimit të burimeve, drejt modelit të ri të autonomisë spitalore, i cili fillon me Spitalin Memorial në Fier, duke e aplikuar nga fillimi i vitit tjetër”, tha Manastirliu.