25 vite nga tragjedia e Otrantos

Sot shënohen 25 vite nga tragjedia e Otrantos. Ngjarja ka ndodhur ne 28 mars 1997, kur anija shqiptare “Katri i Radës”, u përmbyt në Ngushticën e Otrantos nga forcat detare italiane, aty ku humben jetën 81 persona, ndërsa trupat e 23 viktimave nuk u gjeten kurrë.

Në bordin e anijes “Katri i Radës” nisur nga brigjet e Vlorës ishin 142 persona nga të cilët vetëm 61 mundën të mbijetonin. Sot pas 25 vitesh nuk ka ende drejtësi për familjarët dhe të mbijetuarit.

Në këtë 25 vjetor të kësaj tragjedie në Vlorë ka munguar një organizim nga pushteti vendor, ndërsa përkujtimi është bërë nga familjarët të cilët kanë shkuar në varrezat ku prehen viktimat e tragjedisë së Otrantos. Për familjarët e të humburve dhe viktimave në këtë tragjedi, ky 25 vjetor duhej të ishte edhe nje apel i fortë për shtetin dhe pushtetin në përkujtim të atyre qe humbën jetën në mes të detit.

Anija kishte si destinacion Brindisin, Itali, me qëllim të një jete më të mirë. Pjesa më e madhe e të mbyturve ishin gra dhe fëmijë që gjendeshin në lokalet e brendshme të anijes dhe në pamundësi shpëtimi për shkak të mbytjes së menjëhershme. Eksodi i madh i emigrantëve shqiptarë drejt Italisë kishte kohë që kishte nisur dhe në vitet e trazuara të 1997 largimet me anije ishin të shpeshta drejt vendit fqinj. Për të shmangur hyrjen ilegale të emigrantëve, forcat detare italiane proceduan në mënyrë të menjëhershme për të bllokuar anijen, por gjatë ndërhyrjes anija italiane “Sibilla” u përplas me “Katrin e Radës” duke e mbytur atë.