2023-shi me 49 sulme kibernetike ndaj Shqipërisë

Vitin e kaluar Shqipëria është përballur më 49 sulme kibernetike në infrastrukturën kritike të vendit. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka treguar se sulme të tilla që janë shtuar në vitet e fundit janë kthyer në një rrezik potencial për infrastrukturën dhe ekonominë e vendit.

Igli Tafa, drejtor i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, ka thënë:

“Padyshim që ka një rritje. 49 sulme janë evidentuar si sulme që kanë pasur efekte, 12 prej të cilave kanë pasur efekte goxha të konsiderueshme. I përkisnin infrastrukturave të ndryshme, drejt Parlamentit, INSTAT-it”.

Shumica e sulmeve rezultojnë të vijnë nga Irani.

“Në pamje të parë duket sikur vijnë nga shtete fqinje, kryesisht nga ato që jemi partner, por kur e analizon më thellë kupton që sulmet vijnë kryesisht, në mbi 90% të rasteve nga shteti i Iranit”.

70% e incidenteve kibernetike ndodhin në fakt si pasojë e gabimeve njerëzore, hapjes së linqeve apo edhe dokumenteve të dërguara nga persona të ndryshëm të panjohur.