
2021-shi pritet të mbyllet me më shumë divorce
Rreth një e katërta e martesave përfundojnë me divorc në Shqipëri. E duket se gratë janë ato që ndërmarrin hapin e parë duke kërkuar prishjen e martesës.
Sipas të dhënave nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, në vitin 2018 u regjistruan 3,600 kërkesa për divorc ose 54% që u bënë nga bashkëshortet/gratë.
Në vitin 2019-n, rreth 4300 gra iu drejtuan Gjykatës për të kërkuar divorcin, ose gati 56%. Ky ishte viti ku u shënua dhe rekordi i divorceve në vend me gati 8000-një rritje prej 17.3% krahasuar me një vit më parë.
Arsyet kryesore duket se janë: Pavarësia ekonomike e grave, mosmarrëveshjet financiare, abuzimi fizik kryesisht nga burrat, tradhtia, konfliktet-edhe me familjarë të përfshirë etj.
Ndërsa në vitin 2020 u pa një rënie e ndjeshme e divorceve, duke zbritur në rreth 6 mijë, me një tkurrje prej 26.45 krahasuar me vitin e mëparshëm.
Një prej arsyeve mund të jetë situata e krijuar nga pandemia që mbylli edhe Gjykatat dhe shtyu kërkesat për divorcet.
Monitor citon avokaten Margarita Kola e cila e thotë se një pjesë e rasteve për divorc të ardhura në fund të 2020, kanë nisur shqyrtimin në 2021.
Ajo shton se si tendencë botërore, pandemia shtoi konfliktet në çift, të cilat u reflektuan ose me divorc, ose më kërkesa për konsulenca martesore.
Por duke marrë në konsideratë që shqiptarët e kanë të vështirë të kërkojnë ndihmë të palëve të treta, qoftë edhe psikologë, kjo do të çojë në një numër më të lartë të divorceve në 2021-shin.