20 ditë të tjera pritje për hapjen e stadiumit ”Kukës Arena”

Edhe 20 ditë pritje!

Zyrtarë pranë Bashkisë së Kukësit informojnë për TiboNews se vetëm pas 20 ditësh do të mund  të luhet ndeshja e parë testuese në stadiumin e rindërtuar “Kukës Arena” me një kapacitet mbi 8 mijë vendësh.

Ndeshja e shtyrë e së mërkurës mes Kukësit dhe Dinamos rriti shpresat e një rikthimi të lojtarëve në fushës e blertë të qytetit të Kukësit. Me stolat dhe sistemin e  ndriçimit të montuar dhe punimet që pothuajse kanë përfunduar, pengesa e vetme mbeten vetëm fusha me bar natyral.

Temperaturat e ulëta nuk e favorizojnë tapetin e gjelbërt që të jetë në gjendje optimale për të luajtur. Burime të pakonfirmuara bëjnë me dije se stadiumi do të hapet në muajin mars dhe jo mbas 20 ditësh.

Nënkryetari i Bashkisë së Kukësit, Granit Gjana thotë se stadiumi nuk do të shërbejë vetëm për ndeshjet e Kategorisë Superiore.

“Është menduar që këtu të lozim edhe ndeshjet e kupave të Europës. Tashmë kemi edhe sistemin e ndriçimit dhe sistemi i vaditjes që i munguar më përpara”.

Shtegtimi i ekipit të Kukësit sa në Elbasan, Shkodër apo Tiranë për të gjetur shtëpinë  e përkohshme uli mbështetjen e tifozëve kuksian në shkallët e stadiumit. Tifogrupi “Armata e Veriut” prej vitesh i shpërbërë nuk e fsheh zhgënjimin për shtyrjen e ndeshjes së parë në “Kukës Arena”.

“Ndihemi pak të dëshpëruar sepse kemi prit që stadiumi të hapet më 11 janar. Mezi e presim ditën që të luaj ekipi i zemrës këtu”, shpjegon anëtari i “Armatës së Veriut” Ervis Billa.

Armata e Veriut ka edhe një premtim për lojtarët.

“Do të kemi shumë besim që do të arrijmë të rikthejmë shumë tifoza dhe sportdashës që e duan ekipin”, përfundon Billa.

Punimet për stadiumin e Kukësit nisën në vitin 2019 dhe vlera e investimit arrin 10 milionë euro.

Ky lajm u shkrua nga Gëzim Hilaj