19 vjeçarja në Durrës vret babain dhe e gropos, dëshmia: Kisha dy mundësi…

Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në fshatin Shënvlash të Durrësit, ku një 19 vjeçare akuzohet se ka vrarë dhe groposur babain e saj në oborrin e shtëpisë. Mediat vendase kanë publikuar foton e vajzës së re Hygerta Metës dhe babait të saj Pëllumb Meta.

Vetë 19 vjeçarja në dëshminë që ka dhënë në polici ka deklaruar se e ka vrarë të atin sepse ai donte ta fejonte me pahir:

 “Babain e vrava se donte të më martonte me dikë që unë as nuk e doja. Kishim pothuajse përditë konflikte dhe përplasje. Më tha që kjo punë është vendosur, do fejohesh me atë që të them unë dhe pikë, kisha dy mundësi ose të arratisesha ose ta vrisja”.

19 vjeçarja ka deklaruar se ditën e krimit ka qenë vetëm në shtëpi dhe se nuk ka ndihmuar ndonjë person tjetër.

“Një ditë nisëm të debatonim prapë kur ishim në shtëpi. Nëna ishte në arë. Mora pistoletën dhe e qëllova. Më pas kisha frikë mos më fusnin në burg dhe mendova të fshihja trupin e babait. Pasi e varrosa në afërsi të banesës mendova se edhe policia e besoi se ai ishte zhdukur. Unë e kam kryer e vetme krimin, nuk më ka ndihmuar askush”.

Hygerta Meta thotë se e vrau babain e saj në katin e dytë të shtëpisë dhe më pas e ka mbështjellë me qese dhe e ka çuar në kasollen që ndodhej në oborr, duke e groposur.

Megjithatë dyshohet se vajza është ndihmuar nga një tjetër person i familjes, për shkak të peshës së rëndë të babait 50 vjeç. Trupi i Pëllumb Metës u zbulua mëngjesin e kësaj të premteje, 10 ditë pasi djali i madh i familjes e denoncoi atë të zhdukur. Pritet që ekspertiza të përcaktojë kohën kur u vra 50-vjeçari.