
16-vjeçari indian mund në shah kampionin e botës
Një adoleshent nga India befasoi botën e shahut pasi mundi me 39 lëvizje kampionin e botës Magnus Carlsen.
Rameshbabu Praggnanandhaa, i njohur me shkurtimin Pragg, luajti përmes aplikacionit online të shahut një ndeshje miqësore me Carlsenin dhe ia doli mbanë të fitonte.
Nga kompjuteri i shtëpisë së tij në Indi, 16-vjeçari mahniti të gjithë ndjekësit e shahut duke mposhtur norvegjezin jashtëzakonisht shpejt dhe pa probleme.
Në rajonin e Chennait, ishte ora 3 e mëngjesit kur ai po luante, ndërsa në Norvegji, për 31-vjeçarin Carslen ishte pasdite e zakonshme. Norvegjezi është kampion bote prej vitit 2013. Ndeshja me indianin nuk reflekton në titull, por megjithatë i ka dhënë një hov të madh sportit të shahut, sidomos në Indi.
Kryeministri Narendra Modi i Indisë uroi “gjeniun e ri” për fitoren duke u shprehur se përpara e pret një e ardhme e ndritur.
Sachin Tendulkar, një yll i krikekit në Indi, i konsideruar si një nga sportistët më të mëdhenj indian, gjithashtu uroi Praggun për një arritje magjike. “Ke bërë Indinë krenare!” – tha Tendulkar.
Gazeta “The Times of India” raportoi se Pragg ka marrë mesazhe urimi nga e gjithë bota.
16-vjeçari luajti me gurët e zinj, dhe shmangu çdo strategji të Magnusit për kurthe apo kapje mat.
Ky sukses i Praggut e ngushëllon për mungesën e kualifikimit për Airthings Masters, që filloi të mërkurën dhe e zvogëloi grupin e pjesëmarrësve nga 16 në 8 lojtarë.
Carlsen, i cili u përfshi në turne, tha se nuk ka pasur formë të kënaqshme nga fakti se është riaftësuar së fundmi nga një infeksion me COVID-19.