15-vjeçarët shqiptarë dobët në Matematikë, në testin e PISA

15-vjeçarët shqiptarë të vitit 2022 rezultuan më të dobët sesa ata të 2018-ës në testin ndërkombëtar PISA.

Nga 81 vendet e testuara rënien më të fortë në lëndën Matematikë e ka ndjerë Shqipëria, me 69 pikë më pak se në 2018-ën.

Ekspertët e arsimit e lidhin këtë situatë me kurrikulat angleze që ka sistemi arsimor për lëndët e shkencave.

“Ne nuk kemi më një kurrikulë të përshtatur me vendin tonë. Nxënësi ynë nuk di të analizojë në mënyrën e duhur, kjo është ajo që na mungon. Vazhdojmë fatkeqësisht të mësojmë përmendësh dhe çdo gjë që mësohet përmendësh harrohet shumë shpejt.”Edhe në gjuhën amtare, njohuritë e nxënësve shqiptare kanë ardhur në rënie. “Shumë pak nga të rinjtë janë të orientuar të lexojnë në mënyrë të thelluar, rrjetet sociale dhe ekrani e ka ndikuar këtë gjë, nëse lexojmë më pak do kemi më pak të rinjtë të artikuluar”, ka deklaruar për Klan ekspertja e arsimit Irida Sina.

Qendra e shërbimeve arsimore i sheh rezultatet si efekt edhe i pandemisë.

“Së dyti tërmeti ka pasur ndikimin e vet në rezultatet e PISA 2022. 50.5% e të testuarve vinin nga zonat e prekura. Ka nisur punë për analizën e kësaj situate. Menjëherë ne do dalim me një plan kombëtar pune në mënyrë që rezultatet të mos jenë më të tilla në provimin e radhës.”

Shqipëria bashkë me Kosovën renditen të fundit në rajon në testin PISA 2022, ndërsa shumica e vendeve të testuara njohën rënie të performancës së të nxënit krahasuar me vitin 2018.