15 të rinj të vrarë në një lokal në Afrikën e Jugut

Të paktën 15 persona janë qëlluar për vdekje në një lokal në qytezën Soweto të Afrikës së Jugut.

Policia tha se persona të armatosur hynë në tavernën Orlando East në orët e para të mëngjesit të së dielës dhe filluan të qëllonin rastësisht ndaj një grupi të rinjsh. Më pas ata janë larguar nga vendi i ngjarjes me një minibus të bardhë.

Asnjë motiv për sulmin nuk është përcaktuar ende.

Disa persona të tjerë janë në gjendje kritike në spital, ndërsa viktimat besohet të jenë të moshës 19 deri në 35 vjeç.

“Trupat ishin mbi njëri-tjetrin me gjak të gjithë. Ne po kërkonim të dashurit tanë, na u desh të hidheshim mbi trupa duke kërkuar vëllezërit tanë,” tha banorja vendase Ntombikayise Meji.

Kreu i policisë së provincës Gauteng, gjeneral-lejtnant Elias Mawela, tha se të shtënat duket se kanë qenë “një sulm gjakftohtë ndaj klientëve të pafajshëm të tavernës”.

Një deklaratë për shtyp e lëshuar nga zyra e tij tha se personat kishin qenë të armatosur me pushkë dhe pistoleta 9 mm kur hynë në lokal.

Policia është në kërkim të të dyshuarve, identiteti i të cilëve mbetet i panjohur.

Thaban Moloi, një udhëheqës i komunitetit në Soweto, u zemërua nga koha që iu desh policisë për të mbërritur në vendngjarje.

“Është e tmerrshme, po ju them. Njerëzit nuk dinë çfarë të bëjnë. Po të ishit atje, do të shihje gra dhe fëmijë duke qarë,” tha ai.

Moloi tha se sulmi ndodhi në orën 23:00 me orën lokale të shtunën, por policia nuk arriti deri në orën 04:00 të së dielës.

“U deshën pesë orë që ata të vinin, sinqerisht,” tha ai.

Katër persona të tjerë u vranë nga të shtënat në një tavernë të veçantë në provincën juglindore të KwaZulu-Natal, tha policia të dielën.

Presidenti Cyril Ramaphosa shprehu ngushëllimet e tij për të afërmit e viktimave të dy të shtënave.

“Si komb, ne nuk mund të lejojmë kriminelët e dhunshëm të na terrorizojnë në këtë mënyrë, pavarësisht se ku mund të ndodhin incidente të tilla”, shtoi ai.

Të shtënat nuk janë të rralla në Afrikën e Jugut. Ata janë shpesh të lidhur me bandat ose alkoolin.

Por ky është një numër jashtëzakonisht i lartë i vdekjeve dhe vjen menjëherë pas vdekjes së 21 adoleshentëve që mendohet se janë asfiksuar me gaz ose helmim në një lokal tjetër në qytetin e Londrës Lindore.