13 raste me COVID-19 te Tottenham, UEFA anulon ndeshjen me Rennes

UEFA anuloi ndeshjen e sotme në “Europa Conference League” Tottenham-Rennes pasi 8 lojtarë dhe 5 anëtarë të klubit anglez rezultuan pozitivë me COVID-19.

Përballja Brighton-Tottenham në kalendar për të dielën në Premier League është gjithashtu duke u shqyrtuar për t’u anuluar.

Tottenham deklaroi të mërkurën se mbylli qendrën stërvitore pas rasteve të konfirmuara duke detyruar pjesën tjetër të ekipit të vihej në izolim.

Trajneri i skuadrës, Antonio Conte, tha për mediat se situata ishte e paqartë dhe e pasigurt, pasi “nesër nuk dihen se sa të tjerë mund të dalin pozitivë”.

Rregullorja e UEFA-s parashikon që ndeshjet të zhvillohen nëse një skuadër ka të paktën 13 lojtarë, mes tyre dy portierë, të gatshëm për një ndeshje.

Vendimi i marrë u kundërshtua nga Rennes, që përmes një komunikate për shtyp tha se e ka të drejtën për ta apeluar.

UEFA tashmë pritet të vendosë se kur do të zhvillohet kjo përballje. Afatet parashikojnë që ajo të luhet përpara 31 dhjetorit, ku përmbyllet dhe faza në grupe e “Europa Conference League”.