13 prokurorë dhe 2 gjyqtarë në mbrojtje të posaçme pas kërcënimeve që kanë marrë

Mbrojtje e posaçme është caktuar për 13 prokurorë dhe 2 gjyqtarë dhe në disa raste është zgjatur afati i mbrojtjes, gjatë vitit 2023 dhe muajve të parë të 2024-ës.

Mbrojtja e posaçme është miratuar nga komisionet për mbrojtjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve me dyshimet se për shkak të detyrës u rrezikohet jeta.

Referuar të dhënave zyrtare të këshillave që qeverisin sistemin, KLGJ dhe KLP, harta e rretheve gjyqësore ku rezultojnë të ushtrojnë detyrën janë prokuroritë më të mëdha në vend.

Ndërsa rastet e bëra publike tregojnë se kërcënime kanë marrë magjistratë të cilët ushtrojnë detyrën në Tiranë, pranë SPAK, në Elbasan apo edhe Shkodër.

Në vjeshtën 2023, goditja e një grupi kriminal të vrasësve me pagesë zbuloi një plan të mundshëm eliminimi ndaj dy prokurorëve, të SPAK Doloreza Musabelliu dhe asaj të Lushnjës, Merita Selimi.

Dy rastet e fundit, sollën ndryshime ligjore të miratuara në dhjetor të 2023 nga qeveria për zbutjen e rregullave për marrjen e mbrojtjes, por edhe zgjerimin e rrethit të personave që ruhen nga Garda.