10 tërmetet më vrastare të historisë së njerëzimit

Përparimi i teknologjisë dhe mënyrave të ndërtimit ka bërë që njerëzimi t’u paraprijë me më pak pasoja fatkeqësive të mëdha si zjarret, përmbytjet, stuhitë, por, tërmetet mbeten ende të paparashikueshme.

Sidoqoftë numri i njerëzve që humbin jetën nga tërmetet është disa herë më i vogël krahasuar me të shkuarën e largët.

Qendra Kombëtare Amerikane e Gjeofizikës ka përpiluar një listë me tërmet më vrastare të historisë së njerëzimit në botë.

  • 830 mijë të vdekur në Kinë (1556)

23 janar 1556 provinca Shaanxi në Kinën qëndrore rrafshohet nga një tërmet që shkencëtarët hamendësojnë të ketë qenë i magnitudës 8 të shkallës Richter.

Rreth 100 qytete shkatërrohen në një zonë prej të paktën 35 mijë hektarësh.

Dokumentet arkivore të Perandorisë Kineze dëshmojnë për rreth 100 mijë viktima vetëm nga shembjet, ndërsa rreth 730 mijë të tjerë humbën jetën si pasojë e të ftohtit dhe urisë.

  • 316 mijë të vdekur në Haiti (2010)

12 janar 2010, kryeqyteti i Haitit Port-au-Prince tronditet nga një tërmet i magnitudës 7 të shkallës Richter. Dëmet janë të jashtëzakonshme. Rreth 8.5 miliardë dollarë humbje dërrmojnë ekonominë e vendit duke shtrirë rëndë varfërinë.

Ende mbetet në diskutim numri total i viktimave.

Qeveria e Haitit raportoi për të paktën 220 mijë të vdekur vetëm si shkak direkt i lëkundjeve, ndërsa një numër prej rreth 100 mijë të tjerë si pasojë indirekte.

  • 270 mijë viktima Gansu, Kinë (1920)

Ishte 16 dhjetori i vitit 1920 kur shtatë provinca qëndrore të Kinës u tronditën nga një tërmet i magnitudës 8.3 të shkallës Richter.

Shkatërrimet ishin të llahtarshme, me çarje të mëdha toke dhe rrëshqitje të forta dherash, duke lënë të rrënuara dhe totalisht të izoluara zona të thella, teksa pasgoditjet vijuan për tre vite me radhë.

Autoritetet raportuan për qindra mijëra të lënduar me një bilanc prej rreth 250 mijë humbjesh, ndërsa periudha e ftohtë e dimrit la viktima të tjera.

  • 260 mijë të vdekur në Turqi, Siri dhe Liban (115)

Rrënojat e qytetit antik Antioch (sot Antakya, Turqi) dëshmojnë për një tërmet të jashtëzakonshëm të ndodhur më 13 dhjetor të vitit 115 pas Vdekjes së Krishtit, të cilin shkencëtarët hamendësojnë të ketë qenë i magnitudës 7.5 i shkallës Richter.

Kjo është një nga zonat më të goditura në Turqi nga tërmete të tmerrshme gjatë 2 mijë vitet e fundit.

Lëkundjet shkaktuan dëme të jashtëzakonshme dhe humbje të mëdha njerëzish, aq sa qyteti u braktis ndërsa shekuj më vonë, një tërmet tjetër e rrënoi tërësisht.

Vala e goditjeve dëmtoi qytetin Apamea (Siri) dhe Beirut (Liban), ndërsa një cunami me dallgë disa metra të lartë vrau qindra njerëz në portet e jugut.

Studime për kohën kanë nxjerrë si shifër të hamendësuar se të paktën 260 mijë njerëz u vranë nga pasojat e atij tërmeti.

  • 250 mijë të vdekur Turqi, Perandoria Bizantine (526)

Më 20 maj 526 një tjetër tërmet i jashtëzakonshëm shkund qytetin Antioch (sot Antakya, Turqi). Hamendësohet të ketë qenë i magnitudës 7 të shkallës Richter.

Fatkeqësia ndodhi gjatë vitit të 7-të të mbretërimit të Justinianit të I-rë, teksa të gjitha ndërtesat e qytetit u rrënuan.

Shpëtuan vetëm shtëpitë në zonat kodrinore, por për 9 ditë qyteti u godit edhe nga një zjarr i furishëm që u ndihmua nga erëra të forta.

Paslëkundjet vijuan për të paktën 18 muaj, ndërsa numri i viktimave hamendësohet të ketë qenë rreth 250 mijë.

  • 242,769 viktima Tangshan, Kinë (1976)

Pavarësisht studimeve për një zonë tejet sizmike, shumëkush i kishte anashkaluar standardet e ndërtimit në provincën Hebei në lindje të Pekinit.

Ishte 28 korrik i vitit 1976 kur në këtë zonë një tërmet i magnitudës 7.6 të shkallës Richter rrafshoi 85% të të gjitha ndërtesave.

Autoritetet raportuan zyrtarisht 242,769 viktima, rreth 165 mijë të lënduar dhe mbi 2 miliardë dollarë dëme.

Studimet e thelluara për arsyet e vdekjeve masive nxorën si përfundim faktin se shumica e zonave të banimit kishin ndërtesa kryesisht vetëm me tulla, pa kolona apo trarë përforëcues.

  • 230 mijë viktima Gyzndzha, Azerbajxhan (1139)

Shpesh historia e përmend si “Tërmeti Ganja”, por shumë pak dokumente apo dëshmi konkrete hisotorike ka për atë çka hamendësohet të ketë qenë një tërmet i magnitudës 7.7 të shkallës Richter në kufinjtë e Azerbajxhanit dhe Gjeorgjisë së sotme.

Hulumtuesit flasin për një tërmet me pasoja të jashtëzakonshme, aq sa të paktën 230 mijë persona mund të kenë humbur jetën.

Nën pushtetin e Perandorisë Selxhuke, viktimë e tërmetit thuhet të kenë qenë dhe dy fëmijët e perandorit Qara Sonqor.

Dëmet e mëdha njerëzore u kthyen në avantazh për Mbretin Demetrius I-rë i Gjeorgjisë, i cili e plaçkiti disa herë qytetin e Gyzndzha duke e zhveshur nga pasuritë antike.

  • 227,899 viktima Sumatra, Indonezi (2004)

Ishte 26 dhjetor i vitit 2004, kur një tërmet i magnitudës 9.3 të shkallës Richter shkundi veriun e brigjeve të Sumatras, në Indonezinë perëndimore në Oqeanin Indian.

Lëkundjet tronditën 14 vende teksa shkaktuan disa valë me cunami nga 15 deri në 35 metra.

Në total 227,899 njerëz humbën jetën nga një energji tërmeti ekuivalente me lëshimin e 1,500 bombash atomike si ato të hedhura në Hiroshima në Luftën e Dytë Botërore.

Shkencëtarët hamendësojnë se tërmeti i Sumatras mund të ketë nxitur aktivitete të tjera sizmike që pasuan vitin 2004.

Përballë një fatkeqësie të këtyre përmasave organizatat botërore nisën një fushatë ndihmash humanitare duke kulmuar me një total prej 14 miliardë dollarësh donacione.

  • 200 mijë viktima Damghan, Iran (856)

Ishte 22 dhjetori i vitit 856 kur rajoni verior i Damghanit në afërsi të Detit Kaspik u trondit nga një tërmet i magnitudës 7.9 të shkallës Richter.

Një zonë prej 350 kilometrash katrorë u rrafshua totalisht me dhjetra qyteza që numëruan dhjetra mijëra të vdekur.

Numri i viktimave hamendësohet të ketë qenë rreth 200 mijë. Kjo shifër mbetet e diskutueshme, por raportime të kohës bëjnë të ditur se pasgoditjet vijuan për të paktën dy vite.

Qyteti më i zhvilluar i rajonit, Sahr-e Qumis, u dëmtua aq shumë sa pas këtij tërmeti u braktis totalisht.

  • 142,807 viktima Tokio, Japoni (1923)

Ishte data 1 shtator 1923 kur Tokio u kaplua nga një tërmet i jashtëzakonshëm i magnitudës 7.9 të shkallës Richter, që mendohet se zgjati të paktën 5 minuta.

Lëkundjet ishin jashtëzakonisht të forta, sa në Kamakura, rreth 60 kilometra larg, zhvendosi me rreth 60 centimetra statujën e Budës, që peshon 121 tonë.

Raportimet e kohës flasin për 142,807 viktima, përfshirë këtu 40 mijë njerëz të zhdukur nga rrënojat masive të qytetit të Tokios.

Studimet e kohës flasin për shembjen e gjysmës së ndërtesave të qytetit, të cilat ishin pa themele apo tra mbajtës, por që shumica e viktimave u shkaktua nga zjarret.

Ngjarja tronditëse ka hyrë në historinë e Japonisë, e cila prej vitit 1960 kujton çdo 1 shtator “Ditën e parandalimit të fatkeqësive natyrore”.

*Tibo News.