10 filmat më të ndjekur të vitit 2022

Viti 2022 shënoi rihapjen e kinemave dhe rikthimin e filmave të rinj pas bllokimit prej pandemisë së COVID-19.

Disa rrjete kinemash u shfaqën në vështirësi financiare, por të tjera rikuperuan mjaftueshëm duke përfituar edhe nga prodhimet e reja. Por kush ishin filmat që gjeneruan më shumë para? Lista si më poshtë, bazuar vetëm në këtë kriter.

10 – Moon Man – Mbi €430M

Filmi fantastiko-shkencor i prodhuar në Kinë, është i zhanerit komedi dhe flet për Duguyue, një austronaut që gjatë një misioni në Hënë mbetet njeriu i vetëm i gjallë në univers pasi dëshmon shkatërrimin e Tokës nga një asteroid gjigand. Shoqëruesi i tij i vetëm? Një kangur me emrin “King Kong Roo”.

9 – Water Gate Bridge, The Battle at Changjin II – Mbi €600M

Tjetër prodhim kinez, i cili u publikua me rastin e 100-vjetorit të Partisë Komuniste Kineze.

Filmi bazohet në ngjarje historike, më konkretisht në luftën e Koresë gjatë viteve 50-të, kur Kina i doli krah komunistëve të Veriut kundër misionit britaniko-amerikan që ndihmonte Jugun.

Ky prodhim është vazhdim i series së parë dhe pati një pritje të ngrohtë në Kinë.

8 – Thor: Love and Thunder – Mbi €700M

Seria e katërt e historisë së Thor nga Marvel nuk pati popullaritetin e serive të tjera, megjithëse pak-a-shumë pas këtij produksioni ishin të njëjtët kineastë.

Batutat, skenari dhe fantazia nuk u vlerësuan shumë nga kritika, e cila rikujtoi sërish se Thor: Ragnarok mbetet seria më e ndjekur e këtij personazhi mistik.

Sidoqoftë ky film ia ka dalë të gjenerojë qindra milionë dollarë.

7 – The Batman – Mbi €720M

Me aktorin Robert Pattinson, Batmani ishte padyshim një nga filmat më të reklamuar të vitit, duke krijuar pritshmëritë se ky produksion do t’ia kalonte edhe serisë së famshme “Dark Knight”.

Por në të vërtetë nuk rezultoi kështu. Skenari dhe realizimi nuk zgjuan shumë kureshtjen e ndjekësve të Batmanit duke e pozicionuar këtë prodhim vetëm në vendin e 7-të për nga gjenerimi i të ardhurave në rrjetet e kinemave.

6 – Black Panther: Wakanda Forever – Mbi €740M

Vdekja e parakohshme e aktorit Chadwick Boseman, i cili pati luajtur në filmin e parë, duket se ndikoi te publiku për të mos e pritur mirë serinë e radhës, e cila ishte shtyrë disa herë për shkak të pandemisë.

Filmi, fantastiko-shkencor, që rikthen personazhet mitike të Marvel, mban sërish fokusin te rreziku i pushtimit nga një kulturë e huaj dhe ofron pak-a-shumë të njëjtën ide me efekte të shumta grafike, por që si duket kufizuan ndjeshëm emocionet.

5 – Avatar: The Way of Water – Mbi €830M

Edhe pse u shfaq në kinema vetëm në dhjetor, Avatari është padyshim një nga filmat më të ndjekur të vitit 2022.

Seria e dytë e filmit fantastiko-shkencor u prit mjaft mirë duke shënuar rekorde me shitje biletash në ditët e para. Falë këtij filmi Disney kaloi pragun e 4 miliardë dollarëve të ardhura për të 8-in vit radhazi.

Në serinë e dytë, Jake Sully dhe Ney’tiri kanë krijuar familje, megjithatë ata përballen me të tjera rreziqe në Pandora teksa Jake detyrohet të luftojë kundër njerëzve.

4 – Minions: The Rise of Gru – Mbi €880M

Minibossi shkon në San Papisco… është kjo seria e katërt e komedisë së animuar, Minions, e cila kthehet pas në vitet 70-të me histori.

Sigurisht nuk ka të njëjtin impakt sikurse seritë e para, por sidoqoftë ka plot hapësira për të qeshura teksa publiku këtë vit u duk se kishte nevojë pikërisht për këtë lloj zhaneri filmash.

Nën regjinë e Kyle Balda, Minions dolën zyrtarisht në kinema gjatë pranverës, por arritën ta mbajnë të njëjtin ritëm pothuajse gjithë vitin.

3 – Doctor Strange in the Multiverse of Madness – Rreth €900M

Tjetër prodhim i Marvel, që këtë vit nuk solli reagimin e pritur nga publiku.

Fushata e gjerë e reklamave nxiti pritshmëri të lartë për Doctor Strange, por skenari dhe regjia e Sam Raimi nuk ishte dhe aq “Madness”, sidomos për idenë e përgjithshme për një shkrirje paralele “alla Metaverse” të realitetit.

Gjithsesi të ardhurat e gjeneruara nuk janë keq për një shtëpi prodhimi si Marvel, që pavarësisht kritikave, vijon të dominojë kinematë prej së paku dhjetë vitesh.

2 – Jurassic World: Dominion – Mbi €940M

Për t’u pranuar, seria e fundit e Jurassic World nuk kishte shumë pritshmëri, por ja që në kinema pati plot persona që e shikuan duke arritur totalin e 6 miliardë dollarëve si produksion i përgjithshëm të të 6-të filmave kombinuar.

Historia përsëritet, megjithëse ishulli Nublar është shkatërruar. Dinosaur të tjerë ia dalin të mbijetojnë duke u vënë sërish në ndjekje të njerëzve e kështu ekuilibri i brishtë i natyrës do të vihet sërish në mëdyshje.

1 – Top Gun: Maverick – Rreth €1.4 miliardë

Seria legjendare e Top Gun u rikthye sërish pas më shumë se 30 vitesh. Por basti i Joseph Kosinski u fitua.

Drama aksion me në qendër historinë e ish-pilotit Pete Mitchell, i interpretuar nga Tom Cruise, korri sukses të jashtëzakonshëm.

Mitchell, i dalë në lirim nga ushtria, vijon të kontribuojë si trajnues i pilotëve të rinj, por atij do t’i duhet të përballet me të shkuarën kur një mision i ri kërkon të tjera sakrifica.

Për Tom Cruise ky është padyshim një nga filmat më të sukssesshëm në aspektin e kritikave dhe të ardhurave. Maverick ka mundur të tejkalojë edhe filmat e shkuar si Mission Impossible Follout, apo Oblivion.

Sigurisht ka plot aspekte që nuk janë ndër më të mirat, por skenat me avionë dhe veprimet aksion të aktorëve janë “On Top!”.