
10 arsye pse duhet të ndaloni dietat
Ndoshta të gjithë kemi menduar të ndjekim një dietë në një moment apo në një tjetër për të përmirësuar pamjen tonë, veçanërisht me afrimin e verës! Pavarësisht numrit të madh të dietave, shumë prej tyre të promovuara në platformat dixhitale, ekspertët mjekësorë janë të kujdesshëm kur bëhet fjalë për rekomandimin e një diete. Këtu po listojmë 10 rreziqet që dietat mund të paraqesin dhe mënyra më të shëndetshme për t’u kujdesur për trupin dhe pamjen tuaj.
- Efekti ‘yoyo’ ekziston vërtet
Ky nuk është mit. Efekti ‘yoyo’ ekziston. Në të vërtetë, shumica dërrmuese e njerëzve që ndjekin një dietë për të humbur peshë do të rifitojnë kilogramët e humbur brenda pesë viteve dhe shpesh do të shtojnë më shumë.
- Përgjigja e trupit tuaj
Për shkak se dietat janë një përvojë traumatike për trupin, ai shpesh do të përgjigjet duke rifituar shpejt peshën e humbur. Është gjithashtu e zakonshme që njerëzit që kanë qenë në dietë të zhvillojnë një fiksim me ushqimin, gjë që rezulton në rritje të oreksit, dhe rrjedhimisht, rritje të konsumit. Po kështu, kur trupi juaj mësohet të djegë më pak kalori ndërsa jeni në dietë, ai krijon rezerva yndyre për të parandaluar mbarimin e energjisë.
- Dietat kanë një efekt afatgjatë në metabolizmin tuaj
Ndërsa dietat përgjithësisht fokusohen në heqjen e yndyrës, në planin afatgjatë ato kanë një efekt domino në të gjithë trupin. Ato çojnë në një humbje të masës muskulore, e cila rrjedhimisht ngadalëson metabolizmin.
- Efekte të tjera
Përveç ngadalësimit të metabolizmit, privimi i lëndëve ushqyese mund të shkaktojë edhe probleme njohëse, si ndryshime të humorit, vështirësi në përqendrim dhe ulje të energjisë.
- Humbja e lëndëve ushqyese thelbësore
Në varësi të dietës dhe qëllimeve të saj, regjime të caktuara mund të çojnë në mangësi në kalcium, hekur dhe proteina, të gjitha këto janë lëndë ushqyese thelbësore që kontribuojnë në shëndetin e përgjithshëm.
- Rreziqet serioze për shëndetin
Njerëzit që ndjekin dieta ekstreme mund të vuajnë disa çrregullime të lehta, të tilla si kapsllëk, diarre, dhimbje koke, marramendje dhe madje edhe rënie të flokëve. Nëse dieta përfshin marrjen e suplementeve, sigurohuni që të kontrolloni përbërësit e tyre pasi disa produkte mund të rrezikojnë shëndetin tuaj.
- Probleme të vazhdueshme shëndetësore
Përveç efekteve anësore të lehta, dieta mund të çojë edhe në sëmundje më serioze, duke përfshirë sëmundjet e zemrës dhe problemet me kockat.
- Ndikimi në shëndetin mendor
Ata përsona që nuk arrijnë efektet e dëshiruara afatgjata mund të zhvillojnë probleme psikologjike, të tilla si ankthi ose një ndjenjë e fortë dështimi në përmbushjen e qëllimeve të tyre.
- Vetëvlerësimi
Çrregullimet e të ngrënit janë në lajme më shumë se kurrë më parë. Ato mund të shkaktohen nga trauma e dietës ose të jenë arsyeja e dietës së tepërt. Zakonisht, çrregullimet e të ngrënit janërezultat i vetëbesimit të ulët.
- Çdo person është unik me nevojat e veta unike
Dietat shpesh janë të dizajnuara për t’iu përshtatur sa më shumë njerëzve dhe nuk marrin parasysh nevojat ushqyese dhe energjike të secilit individ. Në të vërtetë, këto nevoja ndryshojnë sipas metabolizmit dhe nivelit të aktivitetit të secilit individ.