1 në 3 shqiptarë vuajnë nga pasiguria për ushqim

Rreth 1 në 3 shqiptarë vuan nga pasiguria për ushqim për shkak të mungesës së parave apo burimeve të tjera. Të dhënat e fundit në raportin “Gjendja e Sigurisë Ushqimore dhe Ushqyerit në Botë në 2022” publikuar nga Organizata për Ushqim dhe Bujqësi në Kombet e Bashkuara vlerësojnë se mesatarja në vitet 2019-2021 e përqindjes së popullsisë është 30.9 për qind. Kjo mesatare është ulur në raport me vitet 2014-2016 kur përqindja ishte 38.8 për qind.

Nëse këtë përqindje e ndajmë dhe marrim vetëm pjesën e atyre që kanë pasiguri ushqimore të rënduar treguesi që regjistron Shqipëria është 7.7 për qind për tre vitet e fundit. Në rajonin e Europës Jugore ku llogariten një sërë shtetesh, vendi ynë është ai që ka nivelin më të lartë të popullatës që kanë pasiguri ushqimore të lehtë apo më të ashpër.